Deklaratat e politikanëve shqiptarë shpesh tejkalojnë kufijtë e normales, por këtë herë Fatmir Mediu ka vendosur të konkurrojë direkt me predikimet biblike. I ftuar në një studio, kreu i Partisë Republikane, duke folur për gjendjen e opozitës dhe rolin e Sali Berishës, u shpreh se vetëm ish-kryeministri mund të bashkojë opozitën dhe se “nuk mund të kryejmë vetëvrasje sepse do ringjallemi si Krishti”.
Berisha është i vetmi që bashkon opozitën , do ringjallemi si Krishti !

Duket se Mediu, përveç politikës, ka marrë përsipër edhe shpjegimin e mistereve të besimit. Në mungesë të një plani konkret për ringjalljen e opozitës, ai na ofroi një premtim hyjnor: opozita do të ngrihet nga hiri… thjesht nuk na tregoi kush do të luajë rolin e apostujve dhe kush do të thyejë bukën në darkën e fundit.
Në vend të analizës së zgjedhjeve, Mediu na dha një profeci. Në vend të një strategjie për qytetarët, na tregoi se “vetëvrasja” politike është e justifikuar, mjafton të presim për ringjalljen. Nëse ky është programi i shtatorit për opozitën, qytetarëve u mbetet vetëm të mbajnë kalendarin e Pashkëve me vete për të kuptuar kur do vijë dita e madhe.
Në fund të ditës, mbetet pyetja: A është Berisha Mesia i opozitës apo thjesht një figurë politike që po mbahet me shpresë e metafora biblike? Nëse ringjallja politike vjen me të njëjtin ritëm si ringjallja e Krishtit, ndoshta opozita duhet të përgatitet për një pritje disa mijëra vjeçare.