Avokati i 14-vjeçarit që vrau bashkëmoshatarin: “Klienti im shpreh pendesë të thellë, nuk donte…”

Pas seancës gjyqësore ku u caktua masa e sigurisë për 14-vjeçarin Enedio Guri, i akuzuar për vrasjen me thikë të bashkëmoshatarit të tij Erald Xhejo në Maliq, ka folur avokati i tij, Ledian Spaho.

Sipas Spahos, gjykata vendosi masën “arrest me burg” për të miturin autor, si edhe për babain e tij, Edison Guri, dhe xhaxhain, të cilët akuzohen për ndihmë pas kryerjes së krimit.

Avokati theksoi se klienti i tij ka shprehur pendesë të thellë për atë që ndodhi, duke thënë se nuk e kishte menduar kurrë që veprimet e tij do të sillnin një pasojë kaq tragjike. “Shpreh ngushëllimet për familjen e viktimës. Autori tha se nuk doja të ndodhte kjo, nuk e dija që veprimet e mia do të krijonin këtë pasojë,” deklaroi Spaho.

Gjykata vendosi gjithashtu që të miturit e tjerë të përfshirë në konflikt të mos mbahen në arrest, por të jenë nën mbikëqyrjen e prindërve dhe të paraqiten para gjykatës.

Edhe babai i të miturit ka shprehur keqardhje për humbjen e jetës së 14-vjeçarit Erald Xhejo, duke thënë se ndjehet i tronditur për pasojën e rëndë që ka sjellë ngjarja.

Kjo çështje vijon të hetohet nga Prokuroria e Korçës për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit tragjik që tronditi Maliqin dhe gjithë opinionin publik.

More posts