Edhe gurët e fshatit e tregojnë që Himara është shqiptare”, thoshte At Antonio Bellusci në intervistën e tij të dhënë për gazetaren Rudina Xhunga në vitin 2011. Një himarjot që jetoi gjithë jetën në Kalabri, dha këtë mesazh për himarjotët që e ndjejnë veten grekë.
At Antonio Bellusci: Himarjotët që ndjehen grekë, të dinë se edhe gurët tregojnë origjinën shqiptare!

Rudina Xhunga: Tani në Himarë njerëzit thonë që janë grekë. Çdo t’u thotë atyre një himarjot, prej 500 vjetësh?
At Antonio Bellusci: Kam bërë një poezi ku thuhet se lidhja e sotshme e arbëreshëve është me atë Shqipëri dhe thosha gjithashtu se edhe gurët e katundit të thonë se je arbëresh. Këtë gjë do t’i thosha edhe atij himarjoti, i cili thotë se ndihet grek. Pra, edhe gurët e vendit të shenjtë të Shqipërisë tregojnë rrënjën shqiptare të Himarës e të gjithë truallit shqiptar, si për ne arbëreshët ashtu edhe për çdo njeri. Por fjalët i merr era, e rëndësishme është ajo çka ndien njeriu në shpirtin e tij.
Këto janë vlera që trashëgohen në shekuj të shekujve. Ne nuk kemi frikë nga fjalët që njeriu thotë, pasi jemi të gjithë vëllezër dhe neve na bashkon gjuha, na bashkon zemra, na bashkojnë këto ndjenja. Për këtë, Himarë e dashur, dhe unë e them me krenari, më duket sikur jam himarjot. Ma tregon si fytyra ashtu edhe e folura ime. Ai vend i shenjtë ka Epirin, dhe këtë e thotë historia, dhe gjithë Gadishullin Ballkanik në kohën që erdhën këtu, pra në një kohë ku nuk ekzistonte as Shqipëria, as Greqia dhe as Italia. Këto erdhën më vonë. Ne jemi dëshmi e gjallë, e vjetër dhe e bukur.
Rudina Xhunga: Si i duhet t’i thuash një njeriu në Himarë, i cili thotë unë jam grek, gjuha ime është greke, gjyshërit e mi janë grekë?