Katër oficerë policie janë arrestuar në Greqi, pas një incidenti të pazakontë ku një i burgosur turk arriti të arratiset duke u hedhur në det, edhe pse i prangosur.
Arratisje si në film! I burgosuri me pranga në duar i shpëton policisë greke, zhytet në det. Arrestohen katër efektivë

Ngjarja ndodhi në orët e para të së shtunës, gjatë transferimit të të burgosurit nga burgu i Korydallos në Mytilene, përmes anijes së pasagjerëve “ARIADNI”.
Sipas raportimeve, i burgosuri po transportohej nën ruajtjen e tre rojeve specialë dhe një zëvendës roje policie. Ai ishte i lidhur me pranga dhe flinte në dyshemenë e anijes, kur papritur u ngrit, vrapoi dhe përfitoi nga pakujdesia e efektivëve, shkruan protothrna.gr.
Në një moment kyç, një pasagjer hapi derën e kuvertës, duke i dhënë mundësinë të burgosurit të vrapojë drejt skajit të anijes dhe të hidhet në det, teksa mjeti ndodhej në zonën midis ishullit Kios dhe Oinousses.
Kapiteni i anijes ndaloi menjëherë motorët dhe aktivizoi procedurat emergjente të kërkimit. Anijet e Rojës Bregdetare greke u përfshinë në operacionin e shpëtimit, por pavarësisht përpjekjeve intensive, i burgosuri nuk u gjet.