Apartamente, llogari bankare dhe truall/ Sekuestrohen pasuritë e ish-ambasadorit në Katar, Edmond Çaça e bashkëshortes

Prokuroria e Tiranës ka njoftuar sot se janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Katar, Edmond Çaça, si dhe të bashkëshortes së tij, Bianka Çaça, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi për sekuestrim vjen pas një hetimi të nisur në vitin 2019, mbi bazën e kallëzimit të ILDKPI-së, që e akuzon Çaçën për mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurive, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale.

Prokuroria thekson se gjatë periudhës 2014-2017, kur Çaça ka qenë subjekt deklarimi pranë ILDKPI-së, ai ka falsifikuar dhe fshehur pasuri të konsiderueshme në bashkëpronësi edhe me bashkëshorten. Pas një analize financiare të thelluar nga auditues ligjorë, rezultoi se pasuritë nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme.

Njoftimi:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u sekuestruan pasuritë e pajustifikuara dhe padeklaruara të shtetasit Edmond Çaça, ish-Ambasador i Republikës së Shqipërisë, Doha, Katar dhe bashkëshortes së tij, Bianka Çaça.

Hetimet mbi procedimin penal nr.1838 të vitit 2019, nisën pas referimit të materialit kallëzues nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive (ILDKPI) për veprën penale ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim“ si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale “, parashikuar nga neni 257/a-2 dhe 287 të Kodit Penal.

Pas hetimeve të kryera, rezultoi se shtetasi E. Ç., ka kryer veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe “interesave privatë” të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a-2 i Kodit Penal, pasi në periudhën e viteve 2014 – 2017 ka qenë subjekt deklarimi në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në Ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar dhe ka kryer fshehje dhe deklarim të rremë të pasurive dhe “interesave private”.

More posts