Altin Dumani ka një kërkesë të papritur për Qeverinë Rama/

Për të shtuar numrin e magjistratëve dhe hetuesve, mirëmbajtur sistemet elektronike apo godinën Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion kërkon 249.5 milionë lekë apo rreth 2,5 milionë euro shtesë nga arka e shtetit.

Në shkresën drejtuar Ministrisë së financave, SPAK argumenton se një pjesë e parave nevojiten për vënien në funksion të plotë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Kërkesa për fonde shtesë në zërin e shpenzimeve të personelit në masën 221.5 milionë lekë nevojitet për personelin magjistrat, hetues financiar, hetues të BKH-së si dhe ekspertë, efekte të shtuara në shpenzimet për paga për orët e gadishmërisë dhe jashtë orarit zyrtar.

Janë 28 milionë lekë që sipas vlerësimeve të SPAK duhen kryesisht për infrastrukturën digjitale dhe fizike të Prokurorisë së Posaçme.

Kërkesa për fonde shtesë në zërin e shpenzimeve operative në masën 28 milionë lekë nevojitet kryesisht për shërbime mirëmbajtje të sistemeve elektronike, për mallra e shërbime, shpenzime mirëmbajtje godine, pagesa e kontributit vjetor për anëtarësimin në organizata, transferta të ndryshme për ndihmën e menjëhershme në rastet e fatkeqësisë ose plotësim të moshës së daljes në pension.

Këtë vit, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion pati në dispozicion gati 2.4 miliardë lekë nga buxheti i shtetit nga rreth 1,9 miliardë vitin e shkuar. Ndërkohë numri i punonjësve ka arritur në 322 nga 271 në vitin 2024.

More posts