Një video tronditëse e publikuar së fundmi nga aktivisti gjerman për mbrojtjen e mjedisit, Ulrich Eichelmann, ka ngjallur shqetësim të madh në rrjetet sociale dhe opinionin publik, duke hedhur dritë mbi një nga problemet më të mëdha mjedisore që po përballon Shqipëria: ndotjen e lumenjve. Pamjet tregojnë një gjarpër të ngordhur në brigjet e lumit Vjosë, në një nga segmentet që përshkojnë zonën e shpallur Park Kombëtar, si pasojë e ndotjes së rëndë me naftë.
Al*rmante! Pamjet kur gjarpëri ne Vjose ngordh, por dicka tjeter e fr*kshme po ndodh aty

Ulrich Eichelmann, i njohur për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbrojtjen e lumenjve të egër në Ballkan dhe më gjerë, ndodhej në një prej zonave më piktoreske të Vjosës kur u përball me një skenë që ai e përshkroi si “shkatërruese emocionalisht dhe alarmante nga pikëpamja ekologjike”. Në një postim në rrjetet sociale, aktivisti shkroi:
“Bukuria e Shqipërisë errësohet nga një realitet i tmerrshëm. Në një vend që ka shpallur Vjosën Park Kombëtar dhe simbol të natyrës së egër, gjeta një gjarpër të ngordhur, viktimë e ndotjes së rëndë me naftë që rrjedh pa kontroll në këtë lumë të çmuar.”
Sipas tij, rrjedhja e naftës nuk është një fenomen i izoluar apo i rastësishëm, por një derdhje e përhershme dhe sistematike e ndotjes, që rrezikon seriozisht biodiversitetin dhe shëndetin e ekosistemeve të mbrojtura. Ai ngriti alarmin se mungesa e kontrolleve dhe mbikëqyrjes institucionale po i hap rrugë një katastrofe të heshtur, që po dëmton jo vetëm mjedisin, por edhe reputacionin e Shqipërisë si një destinacion i pasur natyror.
Kjo ngjarje ka rikthyer me forcë në vëmendje shqetësimet që prej vitesh janë ngritur nga organizata vendase dhe ndërkombëtare për rrezikun që i kanoset lumit Vjosë – i vetmi lum i madh i egër në Europë, që rrjedh i pandërprerë nga burimi në det. Përpjekjet për ta mbrojtur atë kulmuan me shpalljen e tij si Park Kombëtar në vitin 2023, një hap historik që u përshëndet në të gjithë kontinentin si fitore për natyrën. Por denoncimi i fundit tregon se statusi “ligjor” nuk po shoqërohet me veprime konkrete në terren.