Alarmi i detektives private Shkenda Lili: Vajzat adoleshente po bien pre e “jetës luksoze” në rrjetet sociale

Detektivja private Shkenda Lili ka ngritur një alarm serioz për prindërit shqiptarë, duke zbuluar një trend shqetësues që po përhapet me shpejtësi: gjithnjë e më shumë vajza adoleshente, të moshës 16-17 vjeç, po përfshihen në marrëdhënie me burra shumë më të mëdhenj në moshë, të tërhequra nga jeta luksoze që shfaqet në rrjetet sociale.

“Vajzat e reja sot shkojnë në klinika estetike me një foto në dorë dhe thonë: ‘Dua të bëhem si kjo’. Kërkojnë veshje të shtrenjta, iPhone, daljet e vona në lokale… dhe kur prindërit nuk ua ofrojnë, i gjejnë diku tjetër,” shprehet Lili përmes një deklarate që ngre shqetësime të thella për rolin e rrjeteve sociale në formimin e të rinjve.

Sipas saj, vajzat ndjekin modele të rreme dhe të pamundura të jetës që shohin në Instagram dhe TikTok, çka ndikon drejtpërdrejt në vetëvlerësimin dhe në zgjedhjet që bëjnë. “Rrjetet sociale janë një gënjeshtër. Vajzat duan të jetojnë si në Instagram – me çdo kusht,” shton Lili.

Periudha më kritike, sipas saj, është ajo midis moshës 14-18 vjeç, kur ndodhin ndryshime të mëdha psikologjike dhe presioni social arrin kulmin. Prindërit, të shqetësuar dhe të pafuqishëm, po i drejtohen gjithnjë e më shpesh zyrës së saj për të hetuar me kë rrinë fëmijët e tyre, çfarë konsumojnë, dhe çfarë fshihet pas ekranit të telefonit.

“Kam raste pafund. Realiteti është dramatik. Prindërit tronditen kur zbulojnë të vërtetën,” përfundon ajo.

More posts