Polonia ka njoftuar se mëngjesin e së mërkurës ka rrëzuar disa dronë rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke e cilësuar këtë një “akt agresioni”.
Alarm në Evropë: Dronët rusë kalojnë kufirin, Polonia i rrëzon menjëherë

Sipas ushtrisë polake, shkelja ndodhi në mënyrë të përsëritur ndërkohë që Rusia kishte nisur një valë sulmesh të reja në Ukrainë, madje edhe pranë kufirit polak.
Kryeministri Donald Tusk reagoi menjëherë përmes një postimi në X, duke konfirmuar rrëzimin e dronëve dhe duke theksuar se për këtë zhvillim është informuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
👉 “Ky është akt agresioni që paraqiti kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”, deklaroi Komanda Operacionale e Ushtrisë së Polonisë.
Ndërkohë, si masë sigurie, autoritetet kanë mbyllur katër aeroporte, përfshirë edhe atë kryesorin në Varshavë. Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) njoftoi se është mbyllur gjithashtu edhe Aeroporti Rzeszow–Jasionka në juglindje, i cili ka rëndësi strategjike për transportin e pasagjerëve dhe furnizimeve drejt Ukrainës.