Rreth 8,000 oficerë nga 14 vende anëtare të NATO-s po marrin pjesë në stërvitjen shumëjavore “Quadriga 2025”, e udhëhequr nga ushtria gjermane në Detin Baltik, ndërsa tensionet me Rusinë për shkak të luftës në Ukrainë vazhdojnë të rriten.
Alarm në Detin Baltik: 8,000 ushtarë NATO gati për përballje me Rusinë

Bundeswehr-i konfirmoi se 40 anije, 20 avionë dhe mbi 1,800 automjete rrugore po marrin pjesë në stërvitje. Udhëheqës ushtarakë nga Gjermania dhe ambasadorë nga vendet Baltike u mblodhën të enjten në portin e Rostock-ut për të parë nisjen e një trageti të ngarkuar me automjete ushtarake drejt qytetit Klaipeda në Lituani, shoqëruar nga një korvetë, helikopterë, anije çminuese dhe policia. Stërvitja përfshin të gjitha vendet e NATO-s me dalje në Detin Baltik, si dhe anëtarë të tjerë si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.
Gjenerali Carsten Breuer, shefi i ushtrisë gjermane, tha: “Sot po shohim nga afër se çfarë do të thotë konkretisht kur Gjermania merr përgjegjësi ndërkombëtare dhe vepron si një qendër e besueshme furnizimi për NATO-n. Pothuajse të gjitha rrugët e furnizimit drejt krahut lindor kalojnë nëpër Gjermani.”
Breuer paralajmëroi se Rusia dhe Bjellorusia po përgatiten për stërvitjet e përbashkëta Zapad në mes të shtatorit.
Ai shtoi: “Kërcënimi mbetet i pandryshuar, si në formën hibride ashtu edhe në atë konvencionale. Putini po na vëzhgon, dhe planet e tij shkojnë përtej Ukrainës. Si forca të armatosura, duhet të përgatitemi. Ne duam të krijojmë frenim, jo përshkallëzim.”