Në daljet e fundit në media, agjentët imobiliarë në Tiranë kanë nisur një fushatë për të justifikuar çmimet e larta të apartamenteve, në përpjekje për të mbrojtur tregun nga efektet e një takse të re mbi pronat e dyta.
Agjentët imobiliarë në p*nik, padashje zbulojne cdo ndodhe me rënien e çmimeve në Tiranë

Taksa e re mbi pronat e dyta, e zbatuar që nga viti 2024, synon të taksojë më fort individët që zotërojnë më shumë se një apartament. Në shumicën e rasteve, kjo taksë kap vlerën nga 150 deri në 300 euro në vit për apartament, në varësi të sipërfaqes dhe vendndodhjes. Kjo përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me nivelin e mëparshëm prej rreth 50 eurosh në vit, duke e kthyer mbajtjen e pronave të papërdorura në një barrë më të madhe fiskale për individët që i kanë blerë si investim pasiv.
Në deklaratat publike, ata pretendojnë se taksa shtesë e vendosur nga shteti do të rrisë çmimet e apartamenteve, një argument që duket në kundërshtim me logjikën ekonomike. Në fakt, taksa e re mbi shtëpinë e dytë pritet të ndikojë në mënyrë krejt tjetër në tregun imobiliar. Ekonomistët argumentojnë se kjo taksë do t’i kthejë pronat e dyta në një barrë fiskale, veçanërisht ato që mbahen të papërdorura apo bosh. Kjo situatë, në vend që të rrisë çmimet, në realitet do të krijojë presion për t’i ulur ato, pasi pronarët do të nxitojnë t’i hedhin pronat në treg ose të ulin çmimin e qirave për t’i bërë më tërheqëse.
Vetë ekspertët dhe agjentët imobiliarë e kanë pranuar se aktualisht ka një numër shumë të madh apartamentesh të pashitura në Tiranë. Të dhënat e tyre tregojnë se të paktën 70 mijë apartamente janë bosh dhe të papërdorura, çka sugjeron një tepricë të dukshme oferte. Ky fakt përforcon edhe më shumë logjikën ekonomike. Pra kur ka më shumë oferta sesa kërkesa, çmimet janë të destinuara të bien.
Gjithashtu, kërkesa për blerjen e apartamenteve ka rënë ndjeshëm, kryesisht për shkak se çmimet në Tiranë kanë arritur nivele të papërballueshme për ekonominë e një familjeje mesatare shqiptare. Kjo ulje e kërkesës në kombinim me rritjen e pritshme të ofertës, pritet të sjellë një rënie të vazhdueshme të çmimeve të apartamenteve. Në këtë panoramë, agjentët imobiliarë gjenden në një situatë paniku, duke tentuar të mbajnë artificialisht çmime që tregu dhe realiteti ekonomik tashmë i kanë vendosur në pikëpyetje.