Një vajzë 16 vjeçare nga Kamza u nda nga jeta ditën e djeshme në një mënyrë tragjike dhe therëse njëkohësisht. Një vajzë me plot ëndrra dhe normalisht plot frikë për jetën, sot nuk frymon më. Nuk është nevoja të dimë emrin e saj, as të hamendësojmë apo të gjykojmë! Mjafton të kuptojmë se ajo vajzë, si shumë vajza në moshën e saj, mbante mbi supe lëmshin në jetën e saj.
Adoleshentë, duajeni jetën! Lidheni zemrën me Zotin dhe përqafojeni veten

Psikologjikisht, kjo moshë është periudha më sfiduese e zhvillimit, ku adoleshenti përjeton intensitet emocional, kërkim të identitetit dhe nevojë për mbështetje të sigurt për t’u ndjerë i kuptuar dhe i vlefshëm. Kohët kanë ndryshuar dhe brezat sa vijnë dhe bëhen më të brishtë. Shumë të rinj sot kanë boshllëk të padukshëm, një peshë që për shumë mund të jetë ‘kot’, por për një brez të kohëve që kanë ardhur është e rëndë.
Shumë të rinj vuajnë në heshtje. Duken të fortë, por janë të brishtë. Dashurojnë për herë të parë dhe mendojnë se jeta ka mbaruar kur zemra thyhet. Ka përplasje të vazhdueshme midis brezave, dikur dhe sot, prindër dhe fëmijë. Le ta pranojmë, askush nuk u ka treguar se dashuritë e para janë të forta, por jo të përjetshme. Sepse në atë moshë, një “më nuk të dua” tingëllon si fundi i botës. Dhe kur s’ke ndërtuar ende një marrëdhënie me veten, një lidhje e paqëndrueshme me dikë tjetër mund të bëhet rrënimi yt.
Ky artikull nuk ka të bëjë me këshillat, por për të treguar se misioni ynë në këtë jetë që Zoti na e dhuroi është që mbi të gjitha të tregojmë humanizëm, të tregojmë se përpara se të jemi prindër-fëmijë, mësues-nxënës, shokë-shoqe, të dashuruar, jemi njerëz me zemër dhe tek Zoti jemi të gjithë njësoj, pa asnjë dallim. Njeriu, pavarësisht moshës, ka nevojë të dëgjohet, të kuptohet, të adhurojë veten që në fund të dijë të adhurojë tjetrin.
Prindër, mësues, të rritur, adoleshentët nuk kanë nevojë vetëm për rregulla. Nuk mjafton të thuash “mos rri në telefon”, “mos dil shumë”, “kujdes notat”. Fëmija ka nevojë të dëgjojë: “Si po ndihesh? A është diçka që të mundon? Po kalon ndonjë vështirësi? Mami dhe babi janë me ty! Mos u mërzit, jam këtu me ty! Duro, është sprovë e Zotit e cila do kalojë! Beso në veten tënde, ti do ja dalësh!” Në moshën e adoleshencës, një fëmijë rritet mes dy botësh, së kaluarës fëminore dhe të ardhmes që s’e njeh.