A do pranonit të kandidonit për Bashkinë e Tiranës?”- Bamir Topi e zbulon ekskluzivisht

Ish-Presidenti Bamir Topi zbuloi nëse do të pranojë të kandidojë për Bashkinë e Tiranës.

Unë kam një raport shpirtëror me Tiranën, që nuk ia shlyej dot kurrë borxhin. Jam rritur, jam burrëruar dhe kam bërë karrierën time në këtë qytet. Nga kjo pikëpamje, jam borxhli. Por, karshi interesave politike, kurrsesi jo. Ata janë borxhli ndaj meje. Ne u futëm në një garë të panevojshme në vitin 2000. Të gjitha sondazhet favorizonin kandidatin e PD në vitin 2000, por u fut në një garë që e dobësoi në një farë mënyre. Ndërsa në 2003, unë pata një ftesë dhe u përgjigja: “Kur e desha, nuk ma dhe. Tani që ma jep, nuk e dua”. Sot, nuk kam asnjë interes të kësaj natyre”, tha Topi.

“Interesi im është sot që të shkruaj, të tregoj se çfarë i kanë bërë këtij qyteti ata që sot janë në pushtetin e mazhorancës dhe të opozitës. Kohët e fundit ka dalë që Tirana ka qenë e mbushur me kala dhe barbarët sllavë kanë ardhur për të shkatërruar identitetin historik kësaj treve. Ka edhe barbarë modernë që i shkatërrojnë Tiranës edhe atë që i ka mbetur. Sot shikojmë vetëm Dajtin, por asnjë vlerë. Ideja është kullë, ndërtim, tjetërsim…”, shtoi ish-Presidenti.

Sipas tij, historia e tij me politikën është mbyllur përfundimisht.

“Unë kam projekt tjetër: të shkruaj për atë që nuk arrita ta them në politikë”, deklaroi Topi.

More posts