Mia O’Brien, një 23-vjeçare nga Huyton, Liverpool, është dënuar me burgim të përjetshëm në Dubai për një “gabim shumë të papjekur”, sipas familjes së saj.
23-vjeçarja dënohet me burgim të përjetshëm në Dubai për një “budallallëk”, nëna nis fushatë për ndihmë ligjore

Ajo po mbahet në burgun qendror të qytetit, ndërsa nëna e saj e shpreh dëshpërimin dhe ka nisur një fushatë mbledhjeje fondesh për të mbuluar shpenzimet ligjore dhe udhëtimet për të vizituar vajzën.
“Mia ka marrë një dënim të përjetshëm dhe tani ndodhet në burgun qendror,” shkroi Danielle McKenna, 46-vjeç, në faqen e GoFundMe që më pas u fshi. “Siç mund ta imagjinoni, si nënë jam absolutisht e shkatërruar. Nuk e kam parë vajzën time që nga tetori i kaluar.”
McKenna përshkroi të bijën si një vajzë të zakonshme, e cila studionte drejtësinë dhe kishte rënë në shoqërinë e gabuar: “Ajo është vetëm 23 vjeç dhe nuk ka bërë kurrë ndonjë gjë të keqe. Për fat të keq, u përfshi me disa shokë të gabuara dhe bëri një gabim shumë të papjekur, për të cilin tani po paguan çmimin.”
Nëna e saj shtoi se fondet e mbledhura do të përdoren për shpenzimet ligjore dhe për të vizituar Mia-n. Fushata, me objektiv 1,600 paund, kishte mbledhur pak më pak se 700 paund para se të fshihej.