Policia e Shtetit ka njoftuar një plan të detajuar masash për të garantuar rendin dhe sigurinë publike me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025-2026, i cili nis më 8 shtator. Qëllimi është krijimi i një mjedisi të sigurt për nxënësit dhe stafin mësimor.
Policia njofton masat e reja: Nga e Hëna do të mbyllen …

Më shumë prani policore dhe kontrolle të forta
Komisariatet e policisë do të sigurojnë prani të shtuar rreth shkollave, veçanërisht në oraret e fillimit dhe mbarimit të mësimit, gjatë pushimit të madh dhe ndërrimit të turneve. Policia Rrugore do të vendosë pika kontrolli pranë shkollave që ndodhen në rrugët kryesore.
Gjithashtu, do të kryhen kontrolle të rrepta ndaj drejtuesve të mjeteve që transportojnë nxënës, duke përfshirë testet e alkoolit, kontrollin teknik të automjeteve dhe zbatimin e rregullave të transportit.
Mbyllja e pikave problematike dhe kontrolli në shkolla
Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Agron Çeli, theksoi se në bashkëpunim me institucionet përkatëse do të punohet për mbylljen e lokaleve dhe pikave ambulante pranë shkollave që shesin pije alkoolike apo produkte ushqimore të skaduara. Këto pika, sipas tij, jo rrallëherë shërbejnë si burim rreziku për rendin publik.
Një tjetër masë e rëndësishme është kontrolli i nxënësve në hyrje të shkollave për të parandaluar mbajtjen e sendeve të kundërligjshme. Ky kontroll do të kryhet nga rojet dhe oficerët e sigurisë, në prani të mësuesve dhe nën mbikëqyrjen e policisë. Për rastet e njoftimeve të rreme, policia do të vërë para përgjegjësisë ligjore autorët që shkaktojnë panik.