Tronditje në Berat! Ish-kreu i SHISH kapet me sekrete shtetërore në shtëpi, djali me bixhoz online!

Një dosje skandaloze ka dalë në dritë në Berat, ku në qendër është ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit për këtë qytet, Aleksandër Shulla. Prokuroria ka marrë të pandehur Shullën, pasi në banesën e tij u gjetën materiale sekrete, të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe të ruajtura në USB, edhe pse ai ishte larguar nga detyra që në vitin 2023.

Kontrolli në banesë u bë pas hetimeve ndaj djalit të tij, Pandeli Shulla, i cili akuzohet për organizim lojërash fati në një lokal në lagjen “30 Vjetori”. Gjatë kontrolleve, përveç kompjuterëve të lidhur me platforma të ngjashme me “Adex Casino”, policia zbuloi në shtëpinë e ish-zyrtarit edhe municione të kalibrit 7.62 mm dhe disa USB me të dhëna sensitive.

Në njërën prej tyre u gjetën dokumente të klasifikuara, që sipas ligjit administrohen në SHISH vetëm në kopje të vetme dhe nuk lejohet kopjimi apo shumëfishimi.

Prokuroria thekson se veprimet e Shullës përbëjnë shkelje të rënda të sigurisë kombëtare, ndërsa ai dhe i biri tashmë do të përballen me akuzat për “organizim lojërash fati”, “mbajtje pa leje të municioneve” dhe “tregim të sekretit shtetëror”.

More posts