Sherri me thika e shkopa bejsbolli në Korçë, policia zbardh ngjarjen, ja kush janë 10 të arrestuarit

Policia e Korçës ka zbardhur konfliktin e dhunshëm ndodhur mbrëmjen e 31 gushtit (dy ditë më parë) në një lokal në lagjen nr.1, ku si pasojë e përdorimit të thikave dhe sendeve të forta, dy persona mbetën të plagosur. Policia bën me dije se u arrestuan 10 persona, ndërsa një tjetër person u shpall në kërkim. Pronari i lokalit u procedua penalisht për punësim të paligjshëm. Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka nisur për motive të dobëta mes dy grupeve, dhe ka degjeneruar në një përplasje fizike masive me dëme materiale dhe plagosje.

“Korçë/Zbardhet dinamika e konfliktit të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në një lokal, ku mbetën të plagosur me mjet prerës (thikë), 2 shtetas. Identifikohen dhe vihen në pranga 10 shtetasit që u konfliktuan me njëri-tjetrin, për motive të dobëta. Shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër i përfshirë në konflikt. Procedohet penalisht pronari i lokalit ku ndodhi konflikti, pasi kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente. Mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr.1, Korçë, në ambientet e një lokali, po ndodhte një konflikt, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë shkuan në vendngjarje, për të parandaluar përshkallëzimn e konfliktit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve të përfshirë në konflikt, konkretisht: -D. P., 54 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”; -P. R., 28 vjeç, I. Sh., 51 vjeç, R. K., 21 vjeç, S. A., 21 vjeç, M. Zh., 31 vjeç, S. M., 25 vjeç, G. D., 37 vjeç, S. Sh., 31 vjeç, dhe M. L. 29 vjeç, të gjithë banues në Korçë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. K., 38 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar i përfshirë në konflikt. Këta shtetas janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta me njëri-tjetrin, duke prishur qetësinë publike dhe duke shkaktuar dëme materiale në lokal. Gjatë veprimeve procedurale, ata kanë dhënë deklarata të rreme përpara punonjësve të Policisë. Në vijim të veprimeve për rastin u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për pronarin e lokalit ku ndodhi konflikti, shtetasin R. I., 45 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Punësimi i paligjshëm”, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi dje policia.

More posts