Një i pandehur jo i zakonshëm u dënua të martën në Gjenevë nga Gjykata Korrekcionale.
Në moshën 54-vjeçare, Rezart Taçi akuzohej për një sërë mashtrimesh financiare përmes aktiviteteve të tij në fushën e naftës të zhvilluara në Shqipëri, të cilat kishin edhe degëzime të rëndësishme në Zvicër. Sipas aktakuzës, mashtrim nëpërmjet një sistemi “veçanërisht dinak”, falsifikim dokumentesh dhe abuzim me besimin përbëjnë bërthamën e rëndë të shkeljeve që i atribuohen atij.
Mes viktimave përmendet edhe gjiganti botëror i certifikimeve SGS, që kohët e fundit ka zhvendosur selinë nga Gjeneva në Zoug.
Duke qenë subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar në Shqipëri, ai është në arrati dhe për këtë arsye u përjashtua nga paraqitja përpara drejtësisë.
Në Shqipëri, ai ndiqet penalisht prej të paktën katër vitesh për dyshime mbi pastrim parash dhe lidhje me krimin e organizuar, për shkak të marrëdhënieve të supozuara me mafien siçiliane.
“Ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara”, beson kryetarja e trupit gjykues, Alessandra Armati.
Jo, kundërshton avokati i tij, Me Pascal Maurer. Nuk mund t’ju them ku ndodhet, por kam folur me të. Ai e ka lexuar aktakuzën dhe i pranon faktet.”
Një “situatë përjashtimore”
Rrallë ndodh që një biznesmen të gjykohet në mungesë në kuadër të një procedure të thjeshtuar, një marrëveshje për pranimin e fajësisë midis prokurorit dhe të pandehurit, e vlefshme vetëm nëse ekzistojnë dokumente të shkruara që konfirmojnë rrëfimin e fajësisë, dhe më pas duhej thjesht validimi nga gjykata në një seancë të shkurtër, jo më shumë se 15 minuta.
Në parim, prania e të pandehurit është e domosdoshme, por kjo “situatë e veçantë” e justifikon fleksibilitetin, sipas prokurorit Frédéric Hensler.
Palë paditëse, SGS, përfaqësuar nga avokatja Clara Poglia, ishte dakord me këtë.
Pikërisht kjo situatë shpjegon edhe pse dënimi, që gjykatësja e përshkroi si “në kufijtë e ashpërsisë”, u konfirmua: 30 muaj burgim, prej të cilëve 24 me kusht, duke marrë parasysh edhe paraburgimin në Zyrih dymbëdhjetë vjet më parë.
Për më tepër, Rezart Taçi u urdhërua të dëmshpërblejë SGS me 8.8 milionë dollarë (nga të cilët vetëm 5% janë likuidë), si dhe të paguajë shpenzimet gjyqësore. Ky fleksibilitet u zbatua sepse të gjitha palët, përfshirë Prokurorinë, kishin interes ta mbyllnin këtë çështje të vjetër, tre prokurorë ishin marrë me të, që pasqyron një pjesë të historisë së financave në Gjenevë.
Nga kulmi në rënie
Rezart Taçi, që sipas shtypit shqiptar kishte arritur të gjeneronte deri në 1.5 miliardë dollarë në kulmin e tij, nisi karrierën në naftë në fund të viteve 1990. Ai themeloi kompaninë Taçi Oil. Në atë kohë, “Naftëtari”, siç e quanin, “doli nga hiçi”, sipas një diplomati.
Në vitin 2009 përfitoi nga një tender publik fitimprurës gjatë privatizimit të grupit AMRO, që përfshinte rrjetin e karburanteve, një rafineri dhe hapësira magazinimi në portin e Durrësit. Siç pritej, ai krijoi një shoqëri tregtare në Gjenevë dhe mori kredi nga bankat më prestigjioze, gjashtë prej tyre përmenden në aktakuzë.
Një vit më herët, Reporterët pa Kufij kishin denoncuar rrahjen e një gazetari që investigonte mbi të. Dy rojet e tij u dënuan, por ai vetë shpëtoi duke deklaruar në gjykatë kundërshtinë e tij ndaj çdo forme dhune.
Në biznes, ai bashkëpunoi me kompani të mëdha tregtare, përfshirë edhe gjigantin Trafigura, me seli gjithashtu në Gjenevë. Në këtë kuadër, i takonte SGS të verifikonte rrjedhën dhe sasinë e produkteve të naftës sipas kontratave dhe deklarimeve të palëve. Këtu hyn në lojë sistemi “veçanërisht dinak” i Taçit: duke manipuluar matjet dhe duke instaluar valvula të fshehura në cisternat, ai arrinte të shkarkonte karburantin pa thyer vulat, duke përfituar mijëra tonë naftë apo gaz në kurriz të SGS dhe partnerëve. Ai furnizonte gjithashtu dokumente të falsifikuara.
Shpërthimi i skandalit
Afera shpërtheu në vitin 2013, kur “miq” të Taçit, të mbuluar nga borxhet, iu drejtuan SGS për një marrëveshje. Fillimisht kompania paditi, por më pas u detyrua nga një gjykatë arbitrazhi të rimbursonte klientët e saj, përfshirë Trafigura-n, me mbi 31 milionë dollarë, përpara se këtë vit të arrihej një zgjidhje përfundimtare financiare.
Para rënies së tij, Taçi kishte blerë për një kohë të shkurtër edhe klubin e futbollit të Parmës, në Itali. Ai shoqërohej me “modelin” e tij, Silvio Berlusconi, dhe kishte udhëtuar me avion privat me Tony Blair.