Është një skenar makthi – të ndjekesh dhe të sulmohesh nga një ari gjigant – por për Jeremy Evans, 39 vjeç, kjo ishte një përvojë reale. Babai nga Alberta e Kanadasë ndodhej në malet “Rockies” kur ndodhi incidenti i tmerrshëm që e la me lëndime të rënda.
Në gusht të vitit 2017, Jeremy kishte ndalur për të parë disa dele që kullosnin, kur pa një këlysh ariu aty pranë. Pas pak dëgjoi një degë që u thye dhe papritur iu shfaq një ari grizzly, rreth 140 kilogramë.
Ai tregoi për Daily Mail:
“Me një goditje të vetme më kapi fytyrën nga cepi i majtë poshtë deri në anën e djathtë, duke ma shqyer të gjithë fytyrën – hundën, veshin e djathtë, gjithçka. Filloi të kafshonte pjesën e pasme të kokës sime, si qeni kur përtyp një kockë. Pastaj nisi të shqyente e të këpuste gjithçka.”
I gjakosur rëndë, Jeremy tentoi t’i jepte fund jetës me pushkën e tij, por ajo nuk u shkrep. Kur e uli për të provuar sërish, arma u shkrep rastësisht, duke i shpëtuar për pak. Nga frika dhe dhimbja, ai ra 60 metra poshtë në një përroskë të shkëmbinjve.
I bindur se nuk do t’i mbijetonte, nxori telefonin për t’i dërguar mesazhe lamtumire bashkëshortes, por nuk kishte sinjal. Në vend të kësaj, vendosi të dëgjonte muzikë. Kur shtypi “shuffle”, kënga e parë që u luajt ishte “Baby Shark”. Një zgjedhje ironike në mes të makthit!
Por, siç thotë Jeremy, kjo këngë i dha forcën për të vazhduar, sepse i kujtoi familjen dhe vajzën e tij të vogël që e dëgjonte çdo natë para gjumit.
“Nuk e di nëse ishte kënga që luante pa pushim, apo mendimet për bashkëshorten dhe vajzën, por fillova të zvarritesha. Arrita të ngjitesha përsëri në shteg,” tregoi ai për UNILAD.
Pas shumë mundimesh, arriti deri te një kamp i braktisur ku shkroi një shënim për ngjarjen dhe më pas, mes dhimbjeve të tmerrshme, arriti te makina e tij dhe vetë e drejtoi deri te një resort tjetër. Aty u shpëtua dhe u dërgua me helikopter në spital.
Mjekët e futën menjëherë në dy operacione madhore nga 13 orë secili, për të shpëtuar fytyrën. Në total, Jeremy ka kaluar pesë operacione të mëdha dhe 15 ndërhyrje më të vogla, duke pasur nevojë për rreth 1,000 qepje dhe 1,000 kapëse metalike. Ai kujton: “Syri i majtë më varej jashtë zgavrës, i kthyer poshtë.
Për të parë, duhej ose ta ngrija syrin me dorë ose ta hidhja kokën shumë mbrapa. E preka fytyrën dhe asgjë nuk ndjehej më si më parë. Noçka më varej dhe gjithë dhëmbët ishin zbuluar.”
Përveç dëmtimeve, Jeremy mbeti me PTSD (çrregullim post-traumatik), që i shkaktohet ende nga tingulli i akullit që çahet apo era e gjakut. Sot, ai po përpiqet të mbledhë 5 milionë dollarë për kërkime mbi PTSD dhe ka shkruar librin “Mauled” ku tregon përvojën e tij.
“Kur i vendos vetes qëllime të vogla, arrin gjëra të pabesueshme,” thotë ai. “Familja është gjithmonë e para. Dhe të kërkosh ndihmë psikologjike nuk është dobësi, është forcë. Sepse kur nuk je mirë mendërisht, nuk mund të kujdesesh për familjen.”
Mrekullisht, Jeremy është rikthyer sërish në të njëjtat pyje dhe madje ka parë përsëri arinj grizzly. Ai thotë se ka një “ndjenjë të mirë” që ka arritur të mbijetojë dhe të kthehet gjallë.