Grupi i njohur i hakerëve “Homeland Justice”, i cili dyshohet se ka lidhje me qeverinë iraniane, ka marrë përsipër përgjegjësinë për një sulm të rëndë kibernetik ndaj Bashkisë së Tiranës. Sipas një deklarate të publikuar nga grupi në kanalin e tyre në Telegram, sulmi ka rezultuar në ndërprerjen e funksionimit të faqes zyrtare të institucionit, nxjerrjen e të dhënave të ndjeshme dhe fshirjen e të gjithë serverëve të bashkisë.
LAJM I FUNDIT – Irani nis te s*lmoje dhe ndaj Shqipërisë – Detajet

Në postimin e tyre, hakerat shprehen me tone sfiduese: “Të gjitha këto aktivitete janë kryer nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët.” Ky mesazh shoqërohet me dy pamje të ndryshme të faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës: një para sulmit kibernetik dhe tjetra pas tij, ku faqja shfaqet si një ekran i bardhë me efekt vizual të dëmtimit.
Gjithashtu, grupi ka publikuar një model 3D të godinës së Bashkisë së Tiranës, së bashku me mbishkrimin “yes, you were right” (po, keni pasur të drejtë), që interpretohet si një konfirmim për një sulm kibernetik të paralajmëruar nga ata më herët.
Në një mesazh tjetër, “Homeland Justice” ka përmendur edhe arsyet e sulmit, duke aluduar për çështjen e muxhahedinëve iranianë të strehuar në Shqipëri: “Mbi 3000 terroristë iu imponuan Shqipërisë. Toka shqiptare u detyrua të strehojë këta të mjerë të shkatërruar… Është e kuptueshme për shqiptarët mikpritës. Shpresojmë që iranianët (që tani kanë të drejtën ligjore të hedhin raketat e tyre ‘mbinatyrore’ në kampin e Manzës) ta kuptojnë këtë”. Kjo deklaratë sugjeron një lidhje mes sulmit dhe qëndrimit të Bashkisë së Tiranës ndaj kësaj çështjeje.
Homeland Justice” është një grup hakerësh me një histori të sulmeve të mëparshme në Shqipëri. Faqja e tyre e internetit me shtrirje ruse u shfaq pak para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania në korrik të vitit 2022. Sipas analizave të kompanisë Microsoft, grupi ka lidhje me Qeverinë iraniane dhe konsiderohet përgjegjës për sulmin e vitit të kaluar.