Erion Veliaj po kërcënon Edi Ramën ? “Kur të flas unë ti do jesh lajm i fundit”/ Video

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet aktualisht në burg, por vazhdon të komunikojë me publikun përmes rrjeteve sociale. Këtë herë, ai ka zgjedhur sërish TikTok-un, ku publikoi një video me një mesazh të koduar.
Shumë analistë dhe komentues të fenomeneve politike ja faturojnë arrestimin e tij luftës me Ramën për Partinë Socialiste edhe pse kurrë nuk ka pasur një konfirmim nga dy të interesuarit.
Në postim, Veliaj shprehet se për momentin ka zgjedhur heshtjen, por paralajmëron se kur të flasë, deklaratat e tij do të kthehen në “lajm të fundit”.
“Je kaq i qetë. Modaliteti i heshtur është aktiv sepse nuk më pëlqen më. Kur të flas unë, ti do jesh ‘breaking news’,” shkruan ai, duke e shoqëruar mesazhin me pamje nga aktivitete të ndryshme.

Nuk dihet ende për kë ose për çfarë konkretisht është ky paralajmërim, por Veliaj lë të kuptohet se fjala e tij do të ketë ndikim të madh mediatik. Kjo nuk është hera e parë që ai përdor TikTok-un për të përcjellë sinjale nga qelia, shpesh duke ndjekur trendet e rrjetit për të komentuar mbi situatën e tij apo hetimet që po zhvillohen

Veliaj është shpallur zyrtarisht i pandehur, i akuzuar për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai u arrestua më 10 shkurt dhe që prej asaj date mbahet në paraburgim me urdhër të SPAK, për shkak të akuzave të rënda që rëndojnë mbi të.

Sipas hetimeve, SPAK e akuzon kryebashkiakun dhe bashkëshorten e tij për ngritjen e një skeme përfitimi ryshfetesh përmes disa organizatave joqeveritare, me qëllim pasurimin personal. Hetimi nisi pas një kallëzimi të dorëzuar nga një profil i rremë me emrin “Nesti Angoni”, një identitet i sajuar që nuk ekziston në regjistrat shqiptarë. Ky fakt ka hapur debate dhe aludime mbi personin e vërtetë që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani identiteti mbetet i panjohur.

More posts