Tragjedi në Sarandë/ 23-vjeçari i dehur përplas për vdekje dy motra të reja – zbulohet kush është shoferi zyrtar në Ministrinë e Brendshme

Një aksident i rëndë automobilistik ka tronditur Sarandën mbrëmjen e së dielës, duke marrë jetën e dy vajzave të reja dhe duke plagosur rëndë një tjetër.

Ngjarja ndodhi në hyrje të qytetit bregdetar, ku një automjet tip Audi, i drejtuar nga Kevin Nora, 23 vjeç, është përplasur kokë më kokë me makinën ku udhëtonin motrat Elvisa Dhimaku (20 vjeçe) dhe Rozina Dhimaku (22 vjeçe). Përplasja fatale rezultoi vdekjeprurëse për të dyja motrat.

Burime të Policisë Rrugore konfirmojnë se drejtuesi i mjetit, i cili është punonjës në Ministrinë e Brendshme, kishte konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli. Testi i alkoolit tregoi se ai kishte kaluar 15-fishin e normës së lejuar.

Sipas dëshmitarëve, i riu ka tentuar të parakalojë në mënyrë të rrezikshme, duke kaluar në krahun e kundërt të rrugës dhe duke shkaktuar përplasjen frontale.

Në makinë me dy motrat ndodhej edhe Antonela Zhupa, 24 vjeçe, e cila mbeti e plagosur rëndë dhe aktualisht ndodhet nën kujdes intensiv në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Pas ngjarjes së rëndë, 23-vjeçari Nora u arrestua në vend nga forcat e policisë dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa ndaj tij pritet të rëndojnë akuzat për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen” dhe “drejtim të automjetit në gjendje të dehur”.

Tragjedia ka shkaktuar dhimbje dhe revoltë të madhe te familjarët dhe komuniteti, ndërsa autoritetet janë nën presion për të dhënë shpjegime lidhur me faktin se si një zyrtar i Ministrisë së Brendshme u lejua të drejtonte në gjendje të tillë.

More posts