Ngjarja makabre në Volos, ku 40-vjeçari shqiptar vrau bashkëshorten e tij, Marjola Nakolecin, po zbardh gjithnjë e më shumë detaje tronditëse. Motra e viktimës ka dëshmuar për mediat greke se 36-vjeçarja kishte duruar prej vitesh dhunë fizike dhe seksuale nga bashkëshorti i saj.
E përdhunonte dhe e linte shtatzënë që të mos divorcohej” – motra e Marjola Nakolecit rrëfen vitet e tmerrit që përjetoi 36-vjeçarja para se të vritej në Volos

Sipas saj, burri e përdhunonte dhe e linte qëllimisht shtatzënë për ta mbajtur të lidhur dhe për ta penguar të divorcohej. “Ajo shkonte dhe bënte aborte shpesh. Ai e kërcënonte se nëse divorcohej, do të bënte më keq”, tha motra e viktimës.
Ajo tregoi se marrëdhënia e çiftit nisi në moshë të re, por gjithçka ndryshoi sapo ata patën fëmijë. “Kur ai pati fëmijë, ai ndryshoi. U bë abuziv, e rrihte”, u shpreh ajo, duke shtuar se dhuna ndodhte edhe para syve të fëmijëve. “Ai u thoshte fëmijëve ‘qëndroni larg, mbyllni gojën’ dhe e rrihte para tyre”, deklaroi motra.
Familja e dinte situatën, por asnjëherë nuk kishte bërë denoncim zyrtar. “Për shumë vite nuk folëm dhe është faji ynë. I thoja motrës sime të divorcohej, por ajo kishte frikë. Bëra gjithçka që munda për ta ndihmuar, edhe financiarisht, por ajo nuk mundi të përballonte”, rrëfeu ajo me dhimbje.
Pas vrasjes së 36-vjeçares, autori u arratis dhe u fsheh për më shumë se 24 orë. Ai u gjet nga policia në një parcelë pranë shtëpisë, duke mbajtur rroba të tjera që dyshohet se i kishte marrë nga kazanët e plehrave. Gjatë arrestimit, dëshmitarët thonë se ai bërtiste: “I bëra mirë. Ajo e meritonte këtë. Nuk pendohem për asgjë”.