Në disa akse rrugore të Shqipërisë janë vendosur kamera inteligjente për monitorimin e trafikut, të cilat regjistrojnë automatikisht shkeljet e shoferëve. Aktualisht testimet po zhvillohen në Golem, në mbikalimet “Spille 1” dhe “Spille 2”, në zonën “Zham Sektor”, si dhe në Rrogozhinë e Bisht i Zhurit.
Akset rrugore që do të monitorohen përmes radarëve dhe kamerave në këtë fazë janë:
– Autostrada Tiranë-Durrës një segment prej 32 kilometra që nis nga “Sheshi Shqiponja” dhe përfundon tek Mbikalimi i Portit.
– Tiranë-Elbasan duke filluar nga TEG-u dhe përfundon në Bradashesh, një segment ky prej 26.4 kilometrash.
– Durrës-Plazhi i Unazës segment ky prej 5.9 kilometrash që nis nga Mbikalimi i Shkozetit dhe përfundon në Plepa.
– Durrës-Kavajë, autostrada e Rrogozhinës, një segment prej 9.81 kilometrash që nis nga zona e njohur si Plepat dhe përfundon në pjesën veriore të Kavajës.
– Unaza e Kavajës, një segment prej 7.89 kilometrash, që nis nga pjesa veriore e Kavajës dhe përfundon në pjesën jugore të Kavajës.
– Kavajë-Rrogozhinë një segment prej 13.9 kilometrash, që nis në Rrogozhinë dhe përfundon në pjesën veriore të Lushnjës, pjesë e Korridorit 8.
– Unaza e Lushnjës, një segment prej 4.62 kilometrash, që nis nga pjesa veriore e Lushnjës dhe vazhdon në pjesën jugore.
– Lushnjë-Fier, pjesë autostrade prej 20 kilometrash, që nis nga pjesa jugore e Lushnjës dhe përfundon në Mbrostar.
– Unaza e Fierit, një segment prej 21.5 kilometrash, që nis nga Mbrostari dhe përfundon në Levan.
– Fier-Vlorë, pjesë autostrade prej 24 kilometrash, që nis në Levan dhe përfundon në Transballkanike.
– Vorë-Ahmetaq, segment ky prej 6.52 kilometrash, që nis nga Vora dhe përfundon në kryqëzimin e rrugës Ahmetaq.
– Qafë-Kashar-Rinas-Ahmetaq, segment ky prej 9.59 kilometrash, që nis nga Qaf Kashari- Kryqëzimi i rrugës Ahmetaq. Këtu përfshihen edhe kryqëzime dhe rampa me gjatësi 5 kilometra.
Synimi është që rrjeti i kamerave të mbulojë mbi 3,600 km rrugë kombëtare, ndërsa faza e parë përfshin rreth 200 km. Por shumë shoferë ankohen se po gjobiten pa u njoftuar paraprakisht dhe në disa raste e kanë marrë lajmin për gjobën 17 ditë me vonesë, çka sjell edhe kamata shtesë.
Ekspertët theksojnë se sipas Kodit Rrugor, kur përdoren pajisje elektronike për gjoba duhet të ketë tabela paralajmëruese, por kjo nuk është zbatuar plotësisht. Kjo ka ngritur dyshime për ligjshmërinë e gjobave, duke e kthyer sistemin e kamerave në një “kurth” për qytetarët.