Festa e besimtarëve bektashinj, pelegrinazhi i përvitshëm i muajit gusht, që do të mbahet në Malin e Tomorrit, e njohur ndryshe edhe si “Festa e Kulmakut”, paraprihet edhe me masa të forta sigurie nga ana e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim edhe me institucionet vendore, si dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
Pelegrinazhi në Tomorr/ Policia publikon itineraret zyrtare: Ja si do të lëvizin besimtarët

Drejtoria Vendore e Policisë Berat njoftoi sot (19 gusht) planin e posaçëm të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë pelegrinazhit në malin e Tomorrit. Ky pelegrinazh ka nisur prej ditës së djeshme dhe zgjat një javë.
“Ky plan ka si objektiva: parandalimin e aksidenteve rrugore, garantimin e qarkullimit të lehtësuar të përdoruesve të akseve rrugore të qarkut, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të pelegrinazhit në malin e Tomorrit, i cili do të zhvillohet gjatë periudhës 18-25 gusht. Në zbatim të këtij plani masash, janë planëzuar shërbime shtesë në të gjitha akset rrugore që të çojnë në malin e Tomorrit, si dhe në ambientet e jashtme të objektit të kultit në këtë mal”, bëri me dije policia vendore.
Njësitë e tjera që do bashkëpunojnë janë; FNSH Fier, Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore, organet e pushtetit vendor, PMNZSH–në, spitalin rajonal të Beratit dhe me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
Policia ka hartuar edhe segmentet që do të ndjekin besimtarët gjatë udhëtimit për të shkuar në Tomor dhe atë të kthimit pas.