Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur këtë të martë në lagjen Águas Lindas të Belémit, Brazil, ku një debat mes dy pronarëve qeni degjeneroi në përplasje fizike në rrugë.
Qentë u nuhatën, pronarët u rrahën – videoja që po çmend rrjetet sociale.

Sipas mediave vendase, gjithçka nisi kur njëri prej qenve iu afrua tjetrit për ta nuhatur – një sjellje krejt normale mes kafshëve. Por ky veprim u keqinterpretua nga pronarët, të cilët fillimisht nisën të debatonin ashpër me fjalë, derisa situata doli jashtë kontrollit dhe përfundoi në dhunë fizike.
Pamjet e sherrit, të publikuara në rrjetet sociale, u bënë virale brenda pak orësh. Në video shihen jo vetëm dy burrat që konfliktohen, por edhe qentë që përfshihen në situatë, duke shtuar më shumë kaos.
Autoritetet vendase kanë konfirmuar se deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa rasti është regjistruar si dhunë publike dhe po hetohet nga policia.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjete sociale: disa përdorues e kanë quajtur reagimin e pronarëve të tepruar, ndërsa të tjerë kërkojnë më shumë ndërgjegjësim nga ata që mbajnë kafshë shtëpiake.