Nuk na intereson as kush u lidh me kë, as sa lek paguhet një eskortë, as kush ndau familjen dhe jeton me ishin e kujt. Asgjë nga këto nuk janë në interesin tonë, të lexuesit tonë dhe ndaj gjejnë shumë pak hapësirë publikimi në faqen tonë.
ÇFARË E SHQETËSON KRENARIN/ Një foto nga pushimet dhe përse kërcënohet kushdo që e publikon?

Por sot po e “thyejmë” këtë rregull dhe po publikojmë një foto. Këtu shfaqet individi që prezantohet si bisnesmen, Krenar Çoçaj me të dashurën e tij. Fytyra dhe emri i zonjushës janë retushuar nga redaksia jonë. Jo se Krenari kërcënon me Aldor Ninin e Akromaxit dhe as se Krenari të merr në telefon dhe të kërcënon personalisht, por sepse identiteti i zonjushës nuk përbën interes publik.
Për hir të së vërtetës as Krenari nuk përbën asnjë lloj interesi publik. As për personin që është dhe as për atë që përfaqëson. Por Krenari është bërë “interes” publik sepse kështu iu imponua publikut.
Kur ndërkohë që publiku ose publlika siç i thonë në vënd origjinën e Krenarit, ishin rrugëve duke shkuar në punët dhe hallet e përditshme, mediat e sponsorizuara nga Krenari na prezantuan me të.
Na thanë që është bisnesmen, që është i dashuri i gocave të ekranit, na thanë që ka miliarda dhe i pëlqen jeta luksit dhe vajzat e showbizit. Madje na thonin edhe kur Krenari bënte sherr me të dashurën dhe se si hiqte stresin në kohën e lirë. Të gjitha këto nuk i zbuloi media. Të gjitha këto, Krenari dhe interesat e veta i shpërndanë vetë nëpër media. Në këto media që i dhanë statusin “VIP”. E tani Krenari kërcënon. Kërcënon dhe shantazhon çdo media që publikon këtë foto.