Pas armëpushimit, gjithçka mund të ndodhë – Gjermania diskuton dërgimin e trupave”

Zëvendëskancelari dhe Ministri i Financave i Gjermanisë, Lars Klingbeil (SPD), ka deklaruar se Berlini nuk përjashton mundësinë e përfshirjes së trupave gjermane në një mision të ardhshëm për garantimin e sigurisë së Ukrainës, pas një marrëveshjeje armëpushimi me Rusinë.

Në intervistën e tij tradicionale verore për kanalin publik ZDF, Klingbeil theksoi se prioriteti kryesor mbetet arritja e armëpushimit, por shtoi se më pas do të mund të diskutohet për garancitë e sigurisë evropiane ndaj Ukrainës.

“Pas armëpushimit, gjithçka mund të diskutohet, përfshirë garancitë e sigurisë evropiane për Ukrainën. Ne si evropianë duhet të marrim përgjegjësi, qoftë përmes trupave ushtarake, trajnimeve për ushtrinë ukrainase, ndihmës financiare apo instrumenteve të tjera,” tha ai.

Asetet e ngrira ruse dhe sfida ligjore

I pyetur për mundësinë e përdorimit të aseteve ruse të ngrira në Perëndim për të ndihmuar Ukrainën, Klingbeil pranoi:

“Emocionalisht po, por ligjërisht është shumë e vështirë. Të paktën është gjetur një zgjidhje për përdorimin e interesave nga këto asete.”

Debati politik në Berlin

Deklaratat e tij kanë ngjallur debat në Gjermani. Shefi i politikës së jashtme të CDU-së, Roderick Kiesewetter, u shpreh për BILD se garancia më e sigurt për Ukrainën do të ishte anëtarësimi në NATO, që ofron mbrojtje bërthamore. Sipas tij, deri atëherë do të nevojitet edhe vendosja e trupave evropianë, ku Gjermania nuk mund të mungojë.

Nga ana tjetër, zv/kryetarja e grupit parlamentar të SPD-së, Siemtje Möller, theksoi rolin vendimtar të SHBA-së:

“Kontributi i SHBA-së është kyç për të gjitha garancitë e sigurisë. Evropa do të japë një mbështetje të konsiderueshme, por ende nuk është e qartë në çfarë forme. Këto detaje do të diskutohen sapo Rusia të ndalojë luftën dhe të fillojnë negociatat për një paqe të drejtë.”

More posts