I pabesueshëm/ Snajperisti ukrainas godet nga 4000 metra larg dhe vret me një plumb dy ushtarë rusë! (VIDEO)

Njësia snajperiste “Pryvyd” (Fantazmë) e ushtrisë ukrainase ka vendosur një rekord botëror të pabesueshëm, duke eliminuar trupa ruse nga një distancë prej 4,000 metrash. Goditja fatale u realizua me pushkën e fuqishme “Alligator” 14.5 mm, prodhim ukrainas, me ndihmën e dronëve dhe inteligjencës artificiale.

Sipas Defense Express, snajperi ukrainas qëlloi përmes një dritareje duke vrarë dy ushtarë rusë në sektorin e Pokrovskut. Ngjarja ndodhi më 14 gusht 2025 dhe u publikua fillimisht nga gazetari ushtarak Yuri Butusov, i cili publikoi edhe videon e momentit dramatik.

Alligatori”, një armë 25 kilogramëshe e prodhuar në Kharkiv, ishte projektuar fillimisht për të shkatërruar pajisje ushtarake, jo për objektiva njerëzorë. Por kushtet ekstreme të luftës e kanë kthyer në një armë vdekjeprurëse edhe kundër personelit. Provat treguan se plumbi i saj mund të përshkojë deri në 7 kilometra, megjithëse saktësia mbetet sfidë në distanca kaq të mëdha.

Ky rekord i ri e kalon atë të mëparshmin, po nga një snajper ukrainas i Shërbimit të Sigurisë (SBU), i cili kishte shënjestruar nga 3,800 metra. Ukraina ka tashmë dy goditjet më të gjata të konfirmuara në historinë e snajperëve.

Goditja ndodhi në një moment kritik, ndërsa Rusia kishte grumbulluar rreth 110,000 trupa në zonën e Pokrovskut dhe kishte shkelur disa linja mbrojtëse. Megjithatë, ushtria ukrainase deklaroi se situata mbetet nën kontroll.

Ekspertët theksojnë se ky sukses është shembull i fuqisë së teknologjisë së re ushtarake, ku dronët, inteligjenca artificiale dhe armët e prodhuara në vend po i japin Ukrainës një avantazh të fortë në fushën e betejës.

More posts