Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur Korçën këtë të diel. Një 60-vjeçare ka ushtruar dhunë ndaj nuses së djalit, duke detyruar autoritetet që të pajisin viktimën me urdhër mbrojtjeje.
E rëndë në Korçë/ Vjehrra dhunon nusen, çfarë ndodhi ?

Sipas policisë, e moshuara M. J., banuese në Korçë, akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nuses së të birit, duke i shkaktuar asaj frikë dhe pasiguri për jetën. Për pasojë, materialet i janë referuar menjëherë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Por ky nuk ishte i vetmi rast i shënuar në qarkun e Korçës gjatë fundjavës. Policia raportoi se disa persona janë arrestuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur dhe mosbindje ndaj urdhrit të uniformave blu.
Ndërkohë, janë regjistruar edhe raste kanosjeje, punimesh të paligjshme, vetëgjyqësie dhe përdorimi të armëve të zjarrit. Një 57-vjeçar dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë gjahu, ndërsa arma u sekuestrua nga policia.
Një tjetër rast i veçantë u shënua në Zvirinë, ku një 57-vjeçar i mori tre kafshë një 66-vjeçari, duke pretenduar se i kishin dëmtuar tokën e mbjellë. Edhe ky rast u dokumentua si vetëgjyqësi.