Në mëngjesin e 13 gushtit 2025, u shua në moshën 84-vjeçare Rabie Isuf Xhani, mësuesja e parë e fshatit Gizavesh në rrethin e Librazhdit dhe një ndër gratë e para që sfidoi realitetin e kohës për t’u bërë pishtare e dijes në zonat rurale të Librazhdit.
Lajm i trishtë! Edukoi dhe mësoi me dhjetëra breza, mbyll sytë përgjithmonë mësuesja e njohur në vendin tonë

E lindur më 16 prill 1941 në Librazhd-Katund, Rabia u rrit mes sakrificave, pa figurën e të atit, i cili ndërroi jetë kur ajo ishte ende foshnje. E edukuar nga nëna dhe nga dashuria për dijen, ajo përfundoi arsimin 7-vjeçar në qytetin e Librazhdit, duke bërë çdo ditë mbi dy orë rrugë më këmbë.
Në vitin 1959 u martua me Hyqmet Xhanin dhe u vendos në fshatin Gizavesh, ku përkushtimi i saj për arsimimin nuk u ndal. Ajo përfundoi me sukses Shkollën Pedagogjike në Elbasan dhe në vitin 1961 nisi punën si mësuese në shkollën e fshatit, duke hyrë në histori si e para grua mësuese vendase në Gizavesh dhe një nga të parat në gjithë rrethin.
Për 30 vite, Rabia Xhani qëndroi në misionin e saj me përulësi dhe pasion, duke edukuar dhjetëra breza që sot mbajnë me krenari kujtimin e saj si një mësuese shembullore, humane dhe e përkushtuar. Ajo doli në pension në vitin 1991, por mbeti për dekada një figurë tepër e respektuar në komunitetin e zonës
Ajo nuk ishte vetëm mësuese për nxënësit e saj. Ishte këshilltare, shpresë dhe mbështetje për një fshat të tërë. Do ta kujtojmë gjithmonë me krenari,” u shpreh një nga familjarët e saj.