Oficeri në Gramsh Hyn mes flakëve dhe shpëton të moshuarën !

Prej pothuajse 72 orëve, Gramshi po kalon verën më të vështirë pasi shumë fshatra janë përfshirë nga flakë të mëdha që kanë përpirë pyje, banesa dhe kanë detyruar banorët të largohen nga shtëpitë e tyre. Por në këtë panoramë ankthi, pasigurie dhe frike ka edhe histori guximi dhe humanizmi.

Alfred Zhupani, oficer i krimeve dhe banor i Gramshit, ka hyrë mes flakëve për të shpëtuar një grua të moshuar nga një banesë që po digjej. Pamjet që qarkullojnë në rrjete sociale tregojnë oficerin kur ai mban në krah të moshuarën dhe vrapon mes zjarrit. Dëshmitarët tregojnë se ai nuk u ndal asnjë çast derisa e çoi në një zonë të sigurt.

Ndërkohë duhet thënë se situata në Gramsh mbetet kritike. Shtatë fshatra janë djegur plotësisht gjatë ditëve të fundit, dhe zjarri ka marrë jetën e një 80-vjeçari, i cili dyshohet të ketë qenë edhe shkaktari aksidental i flakëve.

Sipas njoftimeve zyrtare, zjarri në fshatin Skëndërbegas është vënë nën kontroll mëngjesin e së enjtes, ndërsa forca zjarrfikëse nga Korça dhe Pusteci janë dislokuar në ndihmë të emergjencave lokale.

More posts