Një gjest prekës i shqiptarit Ledian Goga, që u hodh në lumin Arahthos për të shpëtuar dy djemtë e mitur, të moshës 12 dhe 14 vjeç, të cilët humbën jetën tragjikisht të mërkurën e kaluar pasi pësuan vdekje klinike, po bën xhiron e rrjeteve sociale dhe mediave në Greqi.
Nxori nga lumi të miturit që më pas pësuan vd*kje klinike, shqiptari hero mban premtimin …

I pikëlluar thellë, por i vendosur të mbajë të gjallë kujtimin e tyre, Lediani e mbajti premtimin e dhënë pak ditë pas tragjedisë dhe bëri tatuazh portretet dhe emrat e Nisit dhe Spiros, dy fëmijëve që nuk arriti t’i shpëtonte dot, pavarësisht përpjekjeve.
Në një video të publikuar në llogarinë e tij në TikTok, ai tregon tatuazhin e përfunduar, ku ai vetë është paraqitur me krahë engjëlli, duke mbajtur në krahë dy djemtë, që gjithashtu kanë krahë engjëlli. Poshtë secilit fëmijë shkruhen emrat e tyre, Nisi dhe Spiros.

Lediani u bë simbol i kurajos dhe sakrificës në opinionin publik grek, dhe së fundmi është njoftuar se do të marrë nënshtetësinë greke.
Ai tregoi se ministri i ka telefonuar personalisht për t’i uruar, për ta ftuar në zyrë dhe për t’i dhënë nënshtetësinë, por vetë ai thekson me përulësi se nuk e ndërmorri veprimin për këtë arsye.