E b*jshme! Lefter Maliqi zbulon parapskenat: Së shpejti, në PD do të japë dorëheqjen..

Drejtuesi politik i Partisë së Lirisë në qarkun e Beratit, Lefter Maliqi, ka reaguar ashpër pas rezultatit zhgënjyes të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, duke lëshuar një mesazh të qartë për reformim të thellë në strukturat drejtuese të kësaj force politike. Në një prononcim për mediat, Maliqi nuk kurseu kritikat për drejtuesit aktualë të PD-së, duke kërkuar dorëheqje të menjëhershme në të gjitha nivelet, si në qendër ashtu edhe në bazë, ndërsa paralajmëroi vendime të forta politike në vijim.

Sipas tij, PD ka pësuar një rënie të thellë dhe të dhimbshme në besueshmëri, çka e bën të domosdoshme një riorganizim të plotë. Maliqi theksoi se partia duhet të çlirohet nga “emrat e konsumuar” që, sipas tij, nuk kanë sjellë as frymë, as mobilizim elektoral dhe janë shkaktarët kryesorë të humbjes.

“Duhet dorëheqje në nivelet më të larta të PD-së dhe në çdo degë. Kemi nevojë për emërime të reja, për komandime që të rikthejnë frymën dhe të rrisin anëtarësinë. Partia nuk mund të ecë përpara me figura që nuk kanë bërë asgjë për ta ngritur atë,” – u shpreh Maliqi.

Ai propozoi që në një fazë të parë të nisë një proces i shpejtë për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj në bazë, përmes komandimeve me mandat të kufizuar, që do të shërbejnë si një fazë tranzitore për reformimin e organizatës. Sipas tij, ky proces do të mundësonte edhe rritjen e përfaqësimit të brezit të ri në strukturat vendimmarrëse të PD-së.

Megjithatë, në një kthesë të papritur brenda retorikës kritike, Lefter Maliqi e përjashtoi për momentin mundësinë e largimit të liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ai mbrojti figurën e tij duke thënë se Berisha ende ka mbështetjen e një pjese të madhe të anëtarësisë dhe se nuk është ai problemi kryesor i rënies së PD-së, por njerëzit që e rrethojnë.

More posts