Mbyllet faza e parë e aksionit për sigurinë ushqimore, Tatimet bëjnë BILANCIN:

Aksioni i përbashkët i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Financave dhe administratës tatimore ka vijuar në të gjithë vendin për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Drejtoria e Tatimeve përmes një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se në 20 ditët e fundit janë ushtruar kontrolle në 282 subjekte ku dhe është bërë i mundur sekuestrimi i 103 ton mallrave.

“Përfundon faza e parë në terren, në kuadër të përpjekjes së vazhdueshme të forcimit të ligjshmërisë fiskale në sektorin e produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Nis faza e dytë e monitorimit, që synon të verifikojë në vazhdimësi shoqërimin e produkteve me faturë tatimore. Qëllimi është i qartë: Formalizim i tregut, rritje e sigurisë ushqimore dhe mbrojtje e konsumatorit!

 Zero Tolerancë ndaj subjekteve, pjesë e zinxhirit të tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, që nuk respektojnë ligjin”,thuhet në njoftimin e Tatimeve.

Ky aksion erdhi pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama i cili gjatë takimit me kryebashkiakët e vendit tha se Tatimet duhet të “zbresin” në terren për të verifikuar nëse produktet janë të shoqëruara me faturë fiskale në momentin e blerjes.

“Duke filluar nga e hëna nuk ka më paralajmërime po vetëm sekuestrime të çdo lloj produkti bulmeti dhe qumështi pa faturë”, tha Rama më herët gjatë takimit me kryebashkiakët.

Ai kërkoi me urgjencë formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtoraleve.

More posts