Zbulohet data zyrtare, ja kur nis pagesa mujore për fëmijët deri në 5 vjeç

Nga 1 janari 2026, bonusit të bebeve do t’i ndryshojë plotësisht forma. Në vend të pagesës njëherëshe që jepet aktualisht në momentin e lindjes, prindërit do të përfitojnë një shumë mujore për çdo fëmijë deri në moshën 5-vjeçare.

Pagesat do të jenë si më poshtë:

Fëmija i parë: 5,000 lekë në muaj (60,000 lekë në vit) Fëmija i dytë: 7,000 lekë në muaj (84,000 lekë në vit) Fëmija i tretë dhe më shumë: 10,000 lekë në muaj (120,000 lekë në vit)

Klodian Muça thekson rëndësinë e kësaj nisme:

“Të gjithë e dinë sa kushton të rrisësh një fëmijë sot – nga pelenat deri tek qumështi. Pagesat njëherëshe prej 40,000 apo 120,000 lekësh nuk mjaftojnë dhe nuk mbulojnë as shpenzimet minimale mujore, të cilat janë mbi 10,000 lekë. Kalimi në një mbështetje mujore është një hap pozitiv për familjet.”

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2025 lindjet ranë me mbi 14% krahasuar me vitin paraprak, duke u regjistruar vetëm 4,662 lindje. Kjo rënie nxjerr në pah sfidat demografike që po përballen vendi.

Ekspertët vënë në dukje disa paqartësi në nismë, sidomos nëse skema do të fillojë të aplikohet nga 1 janari 2026 vetëm për fëmijët që lindin pas kësaj date, apo do të përfshijë edhe fëmijët e lindur gjatë vitit 2025. Gjithashtu, ata kujtojnë nevojën për të marrë parasysh ndikimin në buxhetin e shtetit.

Megjithatë, ekspertët bien dakord që ky ndryshim mund të përmirësojë mirëqenien familjare dhe të shërbejë si një nxitje për të rinjtë që të krijojnë familje.

More posts