Ah biri im…’, Parashqevinë e ‘mbytë’ malli për djalin

Këngëtarja ikonike shqiptare, Parashqevi Simaku, ka ndarë sot në Facebook një fotografi të rrallë nga koha kur mbante në krahë të birin, Luke Nolfe, si foshnjë.

E shoqëruar me një dedikim zemërthyes, postimi vjen si një kujtesë e dhimbshme e lidhjes së pathyeshme mes një nëne dhe fëmijës së saj, pavarësisht kohës dhe rrethanave.

“Ah, biri im… kur të mbajta për herë të parë, bota u bë e imja. Me ty në duar, edhe sikur bota të shembej, s’mund të më rrëzonte. Por tani… disi, jemi larg. Dhe kjo më thyen më shumë se çdo fund. Luke, zemra ime, të dua sa botën”, shkroi ajo, duke prekur mijëra ndjekës me fjalët e saj plot mall.

Kujtojmë se pas shumë vitesh mungesë dhe një periudhe të vështirë ku u gjet e pastrehë në rrugët e New York-ut, Parashqevi arriti të takonte të birin një herë të vetme, në fillim të këtij viti, falë ndihmës së Elton Ilirjanit. Takimi u zhvillua në një hotel, ku Luke erdhi së bashku me të atin, dhe ishte i mbushur me emocione të forta.

Megjithatë, përkundër atij momenti të veçantë, duket se kontaktet mes tyre nuk kanë vazhduar. Më shumë se një kujtim, postimi i sotëm i Parashqevisë ngjan si një thirrje e heshtur nga thellësia e një zemre që ende pret. Malli që shpreh në fjalët e saj tregon se largësia mes tyre nuk është vetëm fizike, por edhe emocionale. Një distancë që duket se ende s’është kapërcyer.

More posts