Zemra e tij kishte ndaluar, ekipet e shpëtimit kishin ndaluar operacionet e tyre dhe ambulanca ishte kthyer mbrapsht. Por pas 30 minutash i vdekur, një burrë 78-vjeçar u zgjua papritur në ambulancë, duke kërkuar vajzat e tij.
E rrallë/ Pësoi dy goditje në zemër dhe e shpallin të vdekur, 78-vjeçari ringjallet pas 30 minutash: Ku janë vajzat?

Kjo ndodhi në Tarquinia, në provincën e Viterbos në Itali, dhe sipas mjekëve, është një rast jashtëzakonisht i rrallë: e ashtuquajtura “sindroma e Lazarusit”. I moshuari tani i shtruar në spital në gjendje të qëndrueshme, kishte pësuar dy atake në zemër dhe dy arreste kardiake. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme ngre pyetje në lidhje me vdekjen e dukshme dhe nevojën për kujdes më të madh në protokollet e ringjalljes.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 18 korrikut në lagjen Marina Velca, në bregdetin e Viterbos. Imoshuari, me origjinë libiane, u sëmur rëndë ndërsa ndodhej në shtëpinë e tij. Shërbimet e urgjencës mjekësore reaguan urgjentisht, duke bërë përpjekje të gjata për ringjallje. Pas dy arresteve kardiake dhe mbi gjysmë ore përpjekjesh për ringjallje, mjekët e shpallën të vdekur dhe ndërprenë operacionet. Trupi mbeti në ambulancë duke pritur mbërritjen e makinës së varrimit, ndërsa ambulanca Pegaso, e alarmuar fillimisht, u kthye mbrapsht. Pastaj, e papritura: burri hapi sytë dhe u ngrit, duke kërkuar vajzat e tij. Ekipet e urgjencës rifilluan menjëherë kontrollet e tyre dhe e transferuan në spital. Ai tani është i shtruar në spital, i vetëdijshëm dhe në gjendje të qëndrueshme.
Karabinieri u plagos gjatë operacionit të shpëtimit
Gjatë ndërhyrjes, ndodhi edhe një incident. Një karabinier që mbërriti në vendngjarje për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit u sulmua nga qeni i të moshuarit. Oficeri u plagos dhe u dërgua gjithashtu në spital. Gjendja e tij nuk është kërcënuese për jetën, por incidenti e përkeqësoi më tej një mbrëmje tashmë të pazakontë.