Rritet tragjikisht bilanci i viktimave nga sulmet izraelite në Iran! Mes tyre fëmijë, gra, shkencëtarë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë

Ka shkuar në 406 numri i të vdekurve në Iran si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë së vendit. Po ashtu, mbi 650 persona të tjerë raportohet të jenë plagosur.

Një prej sulmeve më të rënda është ai ndaj një ndërtese në Teheran, ku televizioni shtetëror iranian raportoi se 60 persona humbën jetën, mes tyre 20 fëmijë.

Guvernatori i provincës së Azerbajxhanit Lindor bëri të ditur se 31 persona kanë humbur jetën në atë zonë, 30 prej tyre ushtarakë dhe një anëtar i Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane.

Ndërkohë, organizata humanitare raportoi për dy viktima të tjera në një sulm që kishte në shënjestër një ambulancë në Azerbajxhanin Perëndimor.

Duke folur para Kombeve të Bashkuara, i dërguari iranian deklaroi se, deri dy ditë më parë, sulmet kishin shkaktuar 78 të vdekur dhe mbi 320 të plagosur.

Zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani, ka konfirmuar se gjatë tre ditëve të fundit janë vrarë të paktën 30 gra dhe fëmijë, edhe pse nuk ka dhënë një shifër totale të viktimave.

Ndër personat e vrarë janë edhe 18 anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), përfshirë komandantin e Forcës Hapësinore të kësaj strukture, i cili u vra të premten. Shtatë shkencëtarë bërthamorë iranianë janë raportuar gjithashtu të vrarë në sulme të ndryshme.

More posts