Një video shqetësuese që po qarkullon në rrjetet sociale ka shkaktuar zemërim të madh në Kosovë dhe më gjerë. Pamjet tregojnë disa të rinj duke hedhur në tokë flamurin shqiptar dhe më pas duke kaluar me makinë mbi të, në një akt të konsideruar si fyes dhe provokues ndaj simbolit kombëtar.
VIDEO që tronditi rrjetin: Të rinjtë përdhosin flamurin kuqezi në Kosovë, habit reagimi i policisë

Ngjarja është regjistruar në fshatin Studençan të Suharekës, dhe sipas Policisë së Kosovës, në të janë përfshirë dy të mitur. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar se pas identifikimit, të miturit janë intervistuar në prani të prindërve dhe kanë pranuar veprimin e tyre, duke theksuar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi dhe janë penduar.
Megjithatë, ajo që ka zemëruar qytetarët ka qenë mosmarrja e masave më të rënda ndaj tyre. Policia i ka liruar menjëherë, gjë që është cilësuar si neglizhencë ndaj një akti të rëndë që ka prekur ndjenjat e mijëra shqiptarëve.
Organizatat e dalë nga lufta e UÇK-së kanë reaguar me ashpërsi ndaj këtij veprimi, duke e quajtur një “fyerje të rëndë ndaj kujtimit të Dëshmorëve dhe një provokim të rëndë të moralit kombëtar”. Në një deklaratë publike, veteranët e UÇK-së kërkojnë nga institucionet e drejtësisë të reagojnë menjëherë për të ndëshkuar autorët, duke e quajtur këtë akt “pasqyrë të një krize të thellë morale që nuk mund të trajtohet me indiferencë”.
Flamuri kuqezi është simbol i gjakut dhe i sakrificës për lirinë kombëtare, dhe përdhosja e tij ka ngjallur një valë reagimesh në të gjitha nivelet e shoqërisë. Pritet që rasti të trajtohet me më shumë seriozitet në ditët në vijim, ndërkohë që qytetarët dhe organizatat patriotike vijojnë të kërkojnë drejtësi dhe dënim shembullor për këtë akt të shëmtuar.