“Mrekulli” Babai i një fëmije sapo është shëruar nga kanceri më i rrezikshëm, çfarë e shëroi?

Një zhvillim i jashtëzakonshëm në mjekësi ka ardhur nga Britania e Madhe, ku një pacient me glioblastomë – forma më vdekjeprurëse e kancerit në tru – është shpallur plotësisht i pastër nga sëmundja, pas një trajtimi eksperimental që nuk është përdorur kurrë më parë në këtë mënyrë.

Ben Trotman, 43 vjeç, u diagnostikua me glioblastomë në tetor 2022 dhe iu tha se kishte vetëm disa muaj jetë. Megjithatë, ai pranoi të merrte pjesë në një provë klinike në Spitalin Universitar të Londrës (UCLH), ku mori një ilaç imunoterapie të quajtur ipilimumab përpara operacionit, kimioterapisë dhe radioterapisë.

Rezultatet janë mahnitëse: mbi dy vite më vonë, Ben nuk ka më asnjë shenjë të tumorit në skanime. Ai nuk iu nënshtrua as operacionit të dytë, që fillimisht ishte planifikuar si pjesë e trajtimit të tij.

Ekspertët thonë se kjo mënyrë e re e përdorimit të imunoterapisë — para ndërhyrjeve të tjera tradicionale — i ka dhënë sistemit imunitar mundësinë të luftojë qelizat e kancerit në kohën më të përshtatshme. Kjo është hera e parë që kjo qasje jep rezultate kaq të fuqishme kundër glioblastomës.

Si pasojë e këtij suksesi, studiuesit britanikë kanë nisur një provë të dytë klinike me 16 pacientë të rinj, me shpresën se rasti i Ben nuk është i vetmi dhe kjo terapi mund të kthehet në një standard të ri trajtimi për këtë formë të pashërueshme të kancerit.

Historia e Ben ka frymëzuar shumë – ai tashmë është babai i një vajze të vogël dhe po jeton një jetë të plotë me familjen e tij, përkundër të gjitha parashikimeve mjekësore.

More posts