Jeta private e Enver dhe Nexhmije Hoxhës – marrëdhëniet, s*ksi dhe leximet

Isuf Kalo, mjeku personal i Enver Hoxhës ka publikuar librin e tij ku ka rrëfyer sekretet e “Bllokut”. Kalo ka sjell kujtimet e tij personale në një libër, ku rrëfen raportet me personazhet e kohës, nga diktatori Hoxha tek bashkëshortja e tij Nexhmija Hoxhën, Ramiz Alinë dhe shumë të tjerë që jetonin në zonën e Bllokut, njofton Klan Kosova.

Pjesë nga libri

Nuk ishte e lehtë ta njihje Nexhmijen në të gjitha dimensionet dhe veçoritë e saj origjinale, as së jashtmi dhe as së brendshmi, madje kjo e dyta, njohja e mendimeve dhe ndjenjave të saj, qe edhe më e vështirë.

Edhe pse pata rastin të kisha kontakte si mjek me të për më shumë se 15 vjet, nuk mund të pretendoj se e njoha dot atë në tërësi dhe hollësi. Aq më pak e patën njohur shqiptarët sa kohë ishte gjallë Enveri. Ata, me sytë të mbërthyera gjatë 40 viteve tek lideri i madh, pak vëmendje dhe interes treguan për të shoqen, si person. Për shumicën e tyre ajo ishte thjesht Gruaja e Enverit. Dhe vetëm kaq.

Edhe ajo vetë rrinte disi e tërhequr, duke qëndruar kryesisht në zyrë e në shtëpi. Kishte zgjedhur vullnetarisht të rrinte në hije. Ajo as arriti, por as u përpoq që të fitonte zemrat e shqiptarëve. Ndoshta, sepse i mjaftonte simpatia dhe adhurimi që një numër i madh i njerëzve shprehnin për të shoqin. Por, kur së bashku me të vdiq edhe regjimi i tij, Nexhmijes iu desh që të dilte nga guaska, të bëhej e dukshme dhe aktive, duke u përpjekur t’i bënte njerëzit të besonin se gjithçka e Enverit ruhej e gjallë tek ajo. Mirëpo ishte e vonuar. Pa autoritetin, famën, zërin dhe karizmën e të shoqit ajo vetë nuk ishte as tërheqëse, as e besueshme dhe as bindëse për ta.

Përkundrazi, siç nuk e priste, ajo u bë për pjesën e pakënaqur të popullsisë “tabelë qitjeje”, pasi iu faturuan asaj gabimet dhe padrejtësitë e pushtetit që u përmbys. A e meritonte? A i takonte asaj të paguante të gjithë, ose pjesën kryesore, të haraçit të të këqijave që bëri regjimi i kaluar? Në ç’masë, pa qenë personalisht anëtare e organeve të larta partiake e shtetërore, pati realisht gisht ajo në vendimet e marra prej tyre?

Askush tjetër përveç asaj vetë nuk ka mundësi të dijë të vërtetën. Ajo mund të hamendësohet ose të vlerësohet bazuar në fakte, perceptime ose sipas intuitës së gjithsecilit.

Fajësitë e saj janë bazuar kryesisht mbi faktin e statusit si gruaja e Enverit dhe sidomos në vitet e fundit të jetës, kur ai ishte më i sëmurë.

Me hamendësimin se ajo, edhe pa qenë anëtare e forumeve e strukturave të larta vendimmarrëse, mund të ketë influencuar ose edhe drejtuar vetë në emër të tij. Askush, as unë, nuk e vë dorën në zjarr se kjo absolutisht apo në një masë të caktuar nuk ka ndodhur.

Nexhmija vetë në deklaratat publike dhe në librat me kujtime që ka botuar i ka mohuar të tilla akuza apo hamendësime, ndërsa fakte ose konfirmime të dokumentuara për to nuk di të jenë dhënë.

Ndërkohë, ish anëtarë të Byrosë Politike, Sekretarë të Parë të partisë në rrethe, ministrat të qeverisë, kryetarë dhe shefa të sigurimit, hetuesisë dhe prokurorisë, fajtorë të sigurt dhe të njohur me emër dhe mbiemër, si iniciatorë dhe firmëtarë dokumentesh dhe aktesh mizore, çuditërisht përmenden nga media, madje dhe nga vetë viktimat, përciptazi ose shkarazi.

Ata, meqenëse i shoqi nuk është më gjallë, e derdhin thuajse të gjithë urrejtjen, mllefin dhe fajet për bëmat e mbrapshta të atij regjimi kryesisht e personalisht tek ajo.

Historia di me fakte, me emër dhe mbiemër, se cili person i udhëheqjes së lartë urdhëroi me kokën e tij pushkatimin mizor të 67 ballistëve që u zunë rob në Lushnjë.

Cili propozoi pushkatimin e 22 intelektualëve të pafajshëm në Tiranë për bombën në Ambasadën Ruse, cili propozoi dhe nguli këmbë për kolektivizimin e detyruar të bujqësisë dhe heqjen e tre-dynymshit fshatarëve, cili propozoi tufëzimin e bagëtive, cili ndërmori hapin e parë për ndalimin e fesë dhe prishjen e kishave dhe xhamive, cili urdhëroi ndërtimin e 173 mijë bunkerëve, anembanë vendit, cili si kryetar i Komisionit të Internimeve sygjyrnosi me firmën e tij 12.500 qytetarë shqiptarë dhe shumë akte të tjera si këto të dënueshme? Disa nga këta autorë thuajse janë ricikluar dhe pasardhësit e tyre vazhdojnë të emërohen në poste qeveritare. Ramizi, i cili pati firmosur ato vendime dhe që i indoktrinoi me propagandën që drejtoi mendjet dhe shpirtin e disa brezave radhazi me utopinë e “njeriut të ri”, ishte njëri prej tyre.

Ai, fillimisht, nuk u përmend si fajtor për ato, përkundrazi u promovua për disa kohë në postin më të lartë dhe mandej u konsiderua si shpëtimtar dhe misionar i frymës së re. Ndërkohë, në sa apo në cilën nga ato keqbërje ka qenë personalisht Nexhmija iniciatore, propozuese ose autore e faktuar?

Pa dyshim, ajo i ka pasë ditur në mos të gjitha shumë nga ato padrejtësi që ndodhnin, por nuk u kundërvu direkt as indirekt për të ndikuar t’i parandalonte a zbuste ato tek i shoqi. Përkundrazi, i pat miratuar me zell prej militanteje, mjafton që ato i pat miratuar më parë Byroja Politike dhe Enveri. Ajo, pa dyshim, ka personalisht pjesën e saj të përgjegjësisë, por jo të gjithë përgjegjësinë, as pjesën më të madhe të saj. Ramizi e dinte mirë këtë, por nuk e tha. Përkundrazi, thuhej se fshehtas pati dhe ai vetë gisht në to, fajësime dhe demonizime që u gjeneruan dhe u përhapën për Nexhmijen.

Në periudhën e ndërrimit të sistemit, mbase atij iu desh që në opinionin e njerëzve të bëhej Nexhmija kurban në vend të tij, si kryefajtore, pavarësisht se ishte ai që pati pozitë më të lartë dhe përgjegjësi më të mëdha sesa ajo në hierarkinë vendimmarrëse të regjimit që u shemb.

U desh që fajet e regjimit dhe ish-titullarëve të tij të shkriheshin si skrap në zjarrin e urrejtjes popullore për të krijuar me to “Kuçedrën Nexhmije”, si simboli i të gjitha të këqijave të diktaturës dhe fajtorja kryesore, në mos e vetme e saj.

Në mungesë të Enverit, përqendrimi dhe personalizimi i gabimeve dhe fajeve të regjimit komunist tek e veja e tij, sikur ajo qenkej njësoj përgjegjëse sa ai, apo dhe më shumë se sa ai, ndoshta u desh për t’i ruajtur dhe shpëtuar përkohësisht imazhin e Ramizit si “e keqe e nevojshme dhe shpresuese” në atë periudhë ndryshimesh të vështira.

Në fakt, Enveri nuk e pat njësuar ndonjëherë të shoqen me veten. Ai ishte autoritar. Hijerëndë. Por, nuk ishte “burrë grash” as “lolo” lehtësisht i influencueshëm. Ai imponohej me një shikim. Me një mbledhje të vetullave dhe rrudhave në ballë. Ndonjëherë me buzëqeshje, pa fjalë. Me heshtje. “Burrëria tradicionale” e meshkujve shqiptarë me nuanca mazohizmi ishin të shfaqura krenarisht dukshëm në mënyrën e tij të sjelljes.

Gjatë viteve në kontakt direkt, as unë, si mjek personal i tij, nuk u çlirova dot nga ndjenja e ndrojtjes dhe e përgjegjësisë që më pushtonte në çdo takim me të. Ai rrezatonte autoritet, prandaj as guxova me iniciativën time ta ndaja me të ndonjë mendim, shqetësim apo ta ndikoja në ndonjë drejtim, jashtë kuadrit të detyrës sime profesionale.

Nexhmija dhe të gjithë vartësit e tjerë e kishin pranuar me përulje supremacinë e tij të plotfuqishme. Mendimet, sugjerimet, dëshirat dhe vendimet e Enverit ishin për të gjithë ata, përfshi edhe Nexhmijen ose, më saktë, në radhë të parë për Nexhmijen, tabu.

Diferenca e moshës prej 13 vjetësh me Enverin, brishtësia fizike e karakteriale e saj, pati vulosur që në ditën e parë të njohjes së tyre kompleksin e adhurimit dhe nënshtrimit të përhershëm të saj ndaj burrërisë, vendosmërisë dhe guximit të Enverit si vendimmarrës i pakundërshtueshëm që imponohej me bindjen se kishte gjithmonë të drejtë. Kjo nuk përjashton të ketë pasur sukses edhe ajo, si të gjitha gratë, në rolin e “zogut të natës”, për t’i vënë në vesh dhe marrë prej të shoqit miratime për nevoja, çështje apo plane të jetës familjare apo personale të saj. Por, me shumë pak mundësi për çështje shtetërore.

Sipas Zhaklinë Kenedit, “gratë e pushtetshme” ndahen në dy kategori: ato “me pushtet në shtet” dhe ato “me pushtet në shtrat”.

Gjykuar nga aparenca e jashtme, nga gjestet, mënyra e shikimit, timbri i zërit apo “gjuha e trupit”, Nexhmija nuk ishte lozonjare apo tip gruaje shtrati. Përkundrazi, dukej e “akullt”, serioze si e superblinduar me parime. Në marrëdhëniet me të shoqin, jo nazet e feminiteti, por devotshmëria ishte pika e fortë e saj. Madje, në vitet pasi Enveri pati pësuar infarktin në zemër, ata flinin të ndarë.

Nexhmija ia pat “dhuruar” Enverit edhe pjesën e saj të shtratit bashkëshortor. Ai flinte i vetëm në shtratin e gjerë dopio. Vendin e saj herë pas here mund ta zinte një “femër” tjetër. Ajo ishte Guxi. Kështu quhej macja më “mendjemadhe” që kam parë e njohur unë. Ajo ishte e bukur, i shkëlqenin qimet nga shëndeti dhe gjezdiste krenare nëpër dhomat e korridoret e brendshme, me hap të sigurt dhe shpërfillëse ndaj njerëzve të shtëpisë. Në takt, ishte macja e dashur e Pranverës, por Guxit sa herë që i mbushej koka shkonte pa pyetur askënd te dhoma e Enverit. Nëse e gjente të mbyllur portën e dhomës së gjumit të tij, Guxi ishte e zonja që ta hapte vetë atë. Ajo kërcente deri te doreza dhe e hapte pa problem. Pasi hynte, shtrihej në të njëjtin shtrat me Enverin dhe përgjumej plot kënaqësi pranë tij. Ai nuk bezdisej, e pranonte dhe e përkëdhelte. Dukej që mes tyre ishin miq.

Ndërkohë Nexhmija “vigjilonte” gjatë natës gjysmë e zgjuar, përballë, mbi një divan të ngushtë brenda së njëjtës dhomë, për ta ndihmuar të shoqin në rast të ndonjë shqetësimi eventual.

Marrëdhëniet e shtratit, nëse patën të tilla në ato vite, ata i ruajtën rreptësisht si intime dhe private. As njëri as tjetri nuk më pyetën, as morën këshilla mjekësore, në konfidencialitet, për rreziqet dhe implikimet e mundshme në marrëdhëniet seksuale në kuadrin e infarktit të zemrës dhe sëmundjes së diabetit, prej së cilës Enveri vuante prej vitesh. Por në literaturën mjekësore, si edhe nga përvoja jetësore njiheshin raste atakësh, aksidentesh, deri edhe vdekje të befta te meshkujt me sëmundje të tilla të zemrës, gjatë marrëdhënieve në shtrat.

Kështu i pat ndodhur në vitet e monarkisë një ish-ministri shqiptar, i cili vdiq papritur gjatë aktit në një prej hoteleve të Romës. E njëjta tragjedi ndodhi jashtë Tiranës në vitet kur kujdesesha për Enverin, me vëllanë e njërit prej ish-udhëheqësve të shquar të Byrosë Politike. Edhe ai, fatkeqi, vuante njësoj nga zemra e diabeti dhe ishte më i ri se vëllai i tij dhe Enveri. Vdekja e tij e beftë, e njëjtë me atë të dikurshme të ish-ministrit monarkist, pat ndodhur jashtë shtëpisë, në rrethana që, për arsye të kuptueshme, nuk u bë publike.

Ngjarja e tronditi së tepërmi emocionalisht vëllanë e tij byroist, por ndoshta dhe e vuri në vështirësi e para dilemës nëse duhet ta nderonte, duke marrë pjesë në ceremoninë e tij mortore, apo ta dënonte, duke mos shkuar në të. Besoj që për këtë ai e kish pyetur dhe kish marrë miratimin e Enverit, sepse ky më thirri dhe më dha porosi të shkoja të qëndroja edhe unë pranë kolegut dhe mikut të tij, ndonëse atë e shoqëronin edhe mjekë të Klinikës Speciale. Kjo mbase si qokë a shenjë solidariteti me të.

Kur shkova nuk e dija pse dhe si kishte ndodhur ngjarja. Enveri nuk më tha asgjë. Mbase priti që pasi të kthehesha kjo temë të hapej nga unë. Ndërkohë unë prisja ta hapte ai, por më kot. Sidoqoftë, atëherë, për herë të parë, u kujtova që këtë faktor rreziku eventual ne si ekip mjekësor e patëm harruar dhe neglizhuar.

Po sikur t’i ndodhte diçka e ngjashme edhe Enverit? Ne mjekët do të gjendeshim krejt të zbuluar dhe do të viheshim me siguri para përgjegjësisë. Asnjë këshillë, shqetësim, as diskutim, as shënim për një eventualitet të tillë nuk ishte përmendur në kontaktet tona me të, as shënuar si dokument në kartelën e tij klinike dhe as në protokollet e ekipit tonë mjekësor. E kishim quajtur thjesht çështje intime, private të tij. E keqja ishte se, për arsye që kuptohen, ky problem nuk mund të diskutohej me Nexhmijen. As me djemtë. Kush do të guxonte t’ia cenonte Enverit privatësinë pa kërkesën dhe lejen e atij vetë?

Atëherë me droje dhe në konfidencialitet e diskutova  me mësuesin tim Fejzi Hoxha. Ai ishte gjirokastrit, kishte thuajse të njëjtën moshë të Enverit dhe kish qenë shokë shkolle dhe fëmijërie me të. “Mos e nga këtë temë”, më tha ai. – “Asnjë mashkull, as ai, nuk do që të flasë e tregojë për këto gjëra. Dhe as nuk do i ndjekë këshillat që do japim ne. Përkundrazi, i zemëruar që futemi pa na ftuar në gjërat intime të tij, mund të na sikterisë. Lëre si të jetë shkruar”, më këshilloi ai. Dhe kështu u bë.

Nga droja, por edhe në respekt të privatësisë dhe intimitetit të tyre, nuk e zura asnjëherë në gojë këtë subjekt delikat, edhe pse me interes mjekësor. Iu luta qiellit dhe Zotit që e keqja të mos ndodhte dhe ndoshta ai më dëgjoi. Kështu, mbeti enigmë edhe masa e supozuar e “pushtetit” të Nexhmijes ndaj të shoqit me ndikimin e saj në shtrat.

Sa për “pushtetin në shtet”, në rastin e Nexhmijes do të tingëllonte si teprim. Ajo, nën hijen e të shoqit, nuk krijoi dot “klorofilin”e një personaliteti individual. Nuk pati dhe as tentoi të krijonte ndonjë rrymë “Nexhmijëzimi” me platformë origjinale ideore, pushtetare e politike si alternativë e dizajnuar dhe e imponuar personalisht prej saj. Ajo ishte dhe mbeti deri në fund “krijesë” e Enverit, shtojcë e tij.

More posts