NATO reagon pas bombardimeve masive ndaj Iranit: “Veprim i njëanshëm nga Izraeli, duhet diplomaci urgjente!”
“Luftë në horizont? NATO flet për herë të parë pas bombardimeve masive ndaj Iranit”

Në një reagim të parë pas bombardimeve të gjera të Izraelit mbi objektet bërthamore dhe ushtarake në Iran, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ngriti alarmin për përshkallëzimin e menjëhershëm të krizës në Lindjen e Mesme.
Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin suedez Ulf Kristersson, Rutte theksoi se Izraeli ka vepruar në mënyrë të njëanshme, duke kërkuar nga të gjithë aleatët – përfshirë Shtetet e Bashkuara – një angazhim të menjëhershëm diplomatik për të ulur tensionet mes Izraelit dhe Iranit.
“Ky ishte një veprim i njëanshëm nga Izraeli. Prandaj është thelbësore që shumë aleatë, përfshirë SHBA-në, të angazhohen për të shmangur përshkallëzimin. E di që ata tashmë po punojnë për këtë,” – tha Rutte.
Ai shtoi se, pavarësisht frikës globale, nuk jemi afër një lufte bërthamore, duke siguruar opinionin publik se NATO po punon për ç’tensionimin e menjëhershëm të situatës.
“Jo, nuk jemi në prag të një lufte bërthamore,” u shpreh ai. “Aleatët e NATO-s janë thellësisht të përfshirë për të siguruar që ky konflikt të mos dalë jashtë kontrollit.”
Ndërkohë, detajet e sulmit janë tronditëse. Ushtria izraelite konfirmoi se rreth orës 3 të mëngjesit u angazhuan 200 avionë luftarakë, të cilët hodhën 330 municione në objektiva strategjikë në Iran – përfshirë edhe zona banimi, çka ka ngritur shqetësime të mëdha për pasojat njerëzore.