Mashtroi babain duke inskenuar rrëmbimin e vet për të përfituar para, vihet në pranga 28-vjeçari. Arrestohet edhe bashkëpunëtori i tij, i cili do të merrte shumën e kërkuar.
E pazakontë në Kavajë! Djali mashtron babanë, inskenon rrëmbimin duke i kërkuar para

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasit L. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, dhe B. K., 45 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi L. C. kishte mashtruar babain e tij, shtetasin B. C., duke i thënë se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë eurosh.
Shtetasi B. K. u kap në flagrancë në lagjen nr. 16 të qytetit të Durrësit, duke i kërkuar shtetasit B. C. shumën e parave, me pretendimin se do të shërbenin për lirimin e djalit të tij.
Rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, shërbimet e Policisë gjetën edhe 28-vjeçarin, i cili u arrestua në flagrancë, pasi rezultoi se kishte inskenuar ngjarjen dhe dy ditë më parë i kishte marrë automjetin babait të tij, dhe dyshohet se e ka shitur.