Hetimet për aksidentin ajror tragjik të Air India, që mori jetën e 270 personave muajin e kaluar, po përqendrohen te veprimet e pilotëve. Burime të njohura me hetimin, të cituara nga Wall Street Journal (WSJ), raportojnë se deri më tani nuk është konstatuar asnjë defekt teknik në modelin Boeing 787 Dreamliner, por dyshimet janë për ndërhyrje në kontrollin e motorëve.
270 të vdekur – dyshime për ndërhyrje njerëzore në rrëzimin e avionit

Sipas të njëjtave burime, çelësat që kontrollojnë rrjedhën e karburantit në të dy motorët rezultojnë të jenë fikur, ndonëse ende nuk është e qartë nëse kjo ka ndodhur qëllimisht apo aksidentalisht. Këto çelësa, që zakonisht qëndrojnë aktivë gjatë gjithë fluturimit, përdoren për të ndezur, fikur ose rivendosur funksionimin e motorëve në situata emergjente.
Në rast se konfirmohet se çelësat ishin të fikur, kjo mund të shpjegojë edhe aktivizimin e gjeneratorit emergjent të avionit, të njohur si turbinë ajri ram (RAT) – një pajisje që funksionon vetëm në rast dështimi total të energjisë.
Burimet thonë se kutia e zezë e avionit po analizohet dhe se një raport paraprak pritet të publikohet së shpejti nga Byroja e Hetimit të Aksidenteve Ajrore të Indisë.
Aksidenti ndodhi kur avioni u përplas me një konvikt studentësh mjekësie pranë aeroportit, duke shkaktuar 270 viktima, përfshirë të gjithë personat në bord, me vetëm një të mbijetuar që shpëtoi pa lëndime nga rrënojat.