Në një intervistë për Euronews Albania me gazetarin Flori Gjini, eksperti i energjisë Zoti Elezi ka folur për rritjen e ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike gjatë muajve të verës, kryesisht për shkak të përdorimit të kondicionerëve në familje dhe institucione.
E thote troc eksperti: Ja sa pak leke hargjoni nese e mbani kondicionerin gjithe naten ndezur (Video)

Sipas Elezit, edhe pse konsumatorët familjarë përbëjnë një pjesë më të vogël të konsumit total krahasuar me bizneset dhe institucionet, shpenzimet e energjisë rriten ndjeshëm gjatë muajve të nxehtë, veçanërisht në orët e mesditës deri në pasdite, kur kondicionerët punojnë në kapacitet të plotë.
“Vetëm nëse e lë kondicionerin ndezur gjatë gjithë ditës, një familje mesatare rrit shpenzimin me rreth 2 mijë lekë të reja në muaj”, – tha Elezi. Ai sqaroi se kjo varet nga fuqia e pajisjes, izolimi i ambientit dhe diferenca e temperaturës së vendosur krahasuar me atë të jashtme.
Eksperti theksoi rëndësinë e përdorimit të pajisjeve me efikasitet të lartë energjie (klasë A++), mbylljen e dritareve gjatë funksionimit të kondicionerit dhe ruajtjen e një diference prej 3-4°C midis temperaturës së jashtme dhe asaj të brendshme. Sipas tij, për temperaturat jashtë që arrijnë në 35°C, kondicioneri nuk duhet të vendoset më poshtë se 31-32°C.
Gjithashtu, Elezi përmendi edhe shpenzimet shtesë të energjisë nga përdorimi i pajisjeve të tjera elektrike si bojlerët dhe dushët elektrike, që shtojnë më tej ngarkesën në faturat mujore.
Një vlerësim i rëndësishëm ishte edhe për institucionet publike, ku shpërdorimi i energjisë mbetet një fenomen i përhapur përmes përdorimit të pakontrolluar të kondicionerëve në ambiente pune, edhe në mungesë të stafit.