Vetëm pak orë para sfidës së shumëpritur Serbi–Shqipëri, që zhvillohet këtë të shtunë në mbrëmje në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës, gazetari i Euronews Albania, Enriko Gabaj, raportoi nga qyteti i Leskovacit për atmosferën në terren dhe masat e sigurisë të marra nga autoritetet serbe.
Kontroll i telefonave dhe ndalim i simboleve: Si u trajtuan gazetarët shqiptarë në Serbi

Gabaj bëri të ditur se situata përreth stadiumit aktualisht është e qetë, ndërkohë që qarkullimi rrugor në zonën përreth është tërësisht i bllokuar. Prania e forcave të shumta të policisë është evidente dhe kontrollet janë tepër të rrepta, veçanërisht ndaj përfaqësuesve të medias nga Shqipëria.
Sipas gazetarit, autoritetet serbe kanë ushtruar kontrolle të imtësishme ndaj gazetarëve shqiptarë, me fokus të veçantë tek ndalimi i simboleve kombëtare shqiptare, si shqiponja dykrenare apo çdo element që lidhet me UÇK-në. Ai e përshkroi si një përvojë të pazakontë kontrollin e galerisë së telefonit të tij personal nga policia, në kërkim të fotove me simbole kombëtare, diçka që ai theksoi se nuk i kishte ndodhur kurrë më parë në ndonjë ngjarje tjetër ndërkombëtare.
“Vetëm pak çaste më parë na ndodhi që nuk na lejohet të filmojmë punën e policisë, as në kufi, as këtu pranë stadiumit. Nuk ndjehem i frikësuar dhe e kam konsideruar si diçka proceduriale. Në kufi na u kontrollua automjeti imtësisht. Në Leskovac, parkuam makinën dhe aty na thirrën efektivët e policisë për të na bërë një kontroll të automjetit edhe këtu para stadiumit, ku kontrolluan bagazhet, çantat personale, pajisjet e raportimit, telefonat dhe më e çuditshmja, për sa kohë unë raportoj, më kanë kontrolluar edhe telefonin personal. S’më ka ndodhur kurrë. Fatmirësisht, një miku im më ndihmoi me komunikimin. Na kanë kontrolluar pjesët e galerisë në telefonin celular, nëse kemi bërë foto me shqiponjë brenda territorit serb. S’duhet të kemi asnjë simbol kombëtar, pasi konsiderohen provokim, ato dhe simbolet e UÇK-së.” – tha gazetari.