Procesi ndaj Veliajt shtyhet sërisht! Bojkoti i avokatëve paralizon gjykatën.

Për herë të dytë shtyhet seanca paraprake për Erion Veliajn, për shkak të bojkotit të avokatëve.

Seanca gjyqësore ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë sërish, pasi avokatët vijojnë bojkotin pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Gjykata ka caktuar datën 21 tetor, ora 09:00, ku do të vendoset nëse dosja do të kalojë për gjykim apo jo.

Më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Veliajt për zbutjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, bashkë me bashkëshorten Ajola Xoxa, ka ngritur një skemë të gjerë korrupsioni dhe pastrimi parash, duke përfituar fonde publike dhe ryshfete nga biznesmenë nëpërmjet një rrjeti kompanish dhe OJF-sh.

SPAK thotë se çifti ka përfituar rreth 1 milion euro, të shpenzuara kryesisht në blerje luksoze nga Ajola Xoxa. Sipas Gjykatës së Apelit të Posaçëm, ata kanë tentuar të manipulojnë dhe prishin provat, madje edhe të kërcënojnë dëshmitarë dhe agjentë të BKH-së.

Prokuroria deklaron se:

Në 9 raste të veçanta, Veliaj dhe Xoxa kanë marrë përfitime të parregullta në këmbim të lejeve të ndërtimit dhe fondeve publike. Vetë Veliaj, me firmën e tij, ka miratuar çdo shpërndarje fondesh. Ka 13 akuza në total, përfshirë: ✅ 9 herë korrupsion pasiv ✅ Pastrim parash ✅ Fshehje pasurie ✅ Shpërdorim detyre ✅ Futje e sendeve të ndaluara në burg më shumë se një herë

Edhe Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim të aseteve dhe përdorim të shumave të mëdha cash jashtë bankave.

SPAK ka dokumentuar 86.7 milion lekë shpenzime online dhe pagesa të mëdha në cash për qira, paga dhe aktivitete private.

Në dosje përfshihen edhe biznesmenë e bashkëpunëtorë të shumtë, si dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e akuzuar për pengim të drejtësisë.

More posts