Dhunë brutale në Vlorë: rrihet rëndë punonjësi 70-vjeçar i Ndërmarrjes së Pastrimit
“Sulmohet punëtori i pastrimit në mes të ditës – autorët zbresin nga furgoni dhe…”

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Vlorës, ku punonjësi i Ndërmarrjes së Pastrimit, Kozma Kukli, 70 vjeç, është dhunuar në mënyrë brutale nga dy persona ende të paidentifikuar.
Sipas dëshmisë së viktimës dhënë në polici, autorët kanë zbritur papritur nga një furgon dhe e kanë goditur menjëherë, pa asnjë paralajmërim. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, përballë tregut të Çoles, në një zonë të frekuentuar të qytetit.
Qytetarët që ndodheshin aty kanë njoftuar menjëherë ambulancën, e cila ka mbërritur në vendngjarje. Mjekët kanë konstatuar se Kozma Kukli ka pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe në syrin e djathtë, duke rrezikuar edhe humbjen e shikimit.
Ndërkohë, Policia e Vlorës pritet të publikojë një reagim zyrtar, duke sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.