VRA*ja e gjyqtarit, sot masa e sigurisë për të arrestuarit

Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi, dhe roja e sigurisë së Gjykatës së Apelit në Tiranë, Banush Koxhaj, do të paraqiten sot në orën 08:00 para Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë, pas arrestimit të tyre lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur të hënën, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.

Seanca do të zhvillohet në Dhomën Penale të Gjykatës dhe do të mbahet me dyer të mbyllura.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar që për të tre personat e arrestuar të vendoset masa e sigurisë “arrest me burg”. Elvis Shkambi, 30 vjeç, i dyshuari kryesor për vrasjen e gjyqtarit dhe plagosjen e babë e birit, Rakip dhe Ervis Kurtaj, përballet me tre akuza: vrasje të funksionarëve publikë, vrasje në rrethana cilësuese ndaj palëve të përfshira në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve.

Në rastin e Gjon Shkambit, prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të akuzës, duke hequr nga akuza vrasjen e gjyqtarit.

Sipas prokurorisë, dyshohet se Gjon Shkambi kishte vetëm dijeni për planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në procesin gjyqësor dhe dyshohet se mund të ketë luajtur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën që ai pretendon në Shkodër.

Këto dyshime bazohen në deklaratat kërcënuese që 56-vjeçari ka bërë në media, ku ka folur hapur për hakmarrje ndaj personave që i konsideronte uzurpues të pronës, si dhe në kallëzimet e familjarëve të tij për kanosje të vazhdueshme.

Ndërkohë, Banush Koxhaj, roja i sigurisë, akuzohet për shpërdorim detyre. Prokuroria thotë se ai nuk ka ndërhyrë pavarësisht se detektorët kanë sinjalizuar praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës.

Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin e detyrueshëm në librin e protokollit, siç kërkohet për çdo person që hyn në institucion.

Në përgjithësi, ngjarja mbetet në qendër të hetimeve dhe seanca e sotme do të vendosë për masën e sigurisë ndaj të arrestuarve.

More posts